TIRANE- Shtyhet për të 201-tën herë seanca gjyqësore ndaj Dritan Dajtit, i akuzuari për vrasjen e katër oficerëve të skuadrës speciale operacionale të policisë në vitin 2009.
Shkak për shtyrjen e radhës është bërë refuzimi i avokatit mbrojtës për të marrë pjesë në seancë.
Avokati i shtetit Lazer Sokolaj refuzoi të përfaqësonte Dritan Dajtin, me pretendimin se kur punonte në Prokurorinë e Përgjithshme ka kryher hetime ndaj tij.
Për këtë arsye, gjykata ka caktuar 2 avokatë të rinj, Lin Aliajn dhe Kujtim Simonin, ndërsa seanca e radhës pritet të zhvillohet të enjten në orën 12:00.
Në fakt, mungesa e avokatëve apo ndërrimi dhe zëvendësimi i tyre prej vetë Dritan Dajtit, duket se është një strategji që vetë ky i fundit ka zgjedhur për të zvarritur sa më shumë procesin.
Në 7 gusht të vitit 2009, Dritan Dajti vrau në plazhin "Iliria" në Durrës, katër oficerët e Policisë, gjatë një operacioni për arrestimin e tij.
Gjatë operacionit për arrestimin e të “fortit” të Tiranës, u vranë në krye të detyrës: Altin Dizdari, 33 vjeç; Fatos Xhani, 38 vjeç; Sajmir Duçkollari, 32 vjeç dhe Kastriot Feska, 40 vjeç.





