TIRANË, 21 prill 2013- Avokati i Popullit e vlerëson raportin e DASH si një dokument shumë të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e institucionit të Avokatit të Popullit, Elona Demollari thekson se në raportin e DASH, gjejnë pasqyrim të gjitha problematikat dhe shqetësimet e ngritura nga Avokati i Popullit.
“Ne konstatojmë se Raporti i Departamentit të Shtetit është një vlerësim dhe analizë e thelluar dhe e vërtetë e gjendjes se të drejtave të njeriut në vendin tonë dhe se në të gjejnë pasqyrim të gjitha problematikat dhe shqetësimet e ngritura edhe nga institucioni ynë si gjendja e minoritetit rom dhe atij egjiptian, problemet e personave me aftësi te kufizuar, gjakmarrja dhe pasojat e saj, gjendja e te drejtave te njeriut në vendet e kufizimit të lirisë, te drejta e komunitetit LGBT, dhuna ne familje dhe vecanarisht ajo ndaj grave. Ne i konsiderojmë si mjaft të rëndësishme problematikat e ngritura nga raporti i DASH dhe do i përkthejmë ato në prioritet dhe program pune për institucionin”, theksoi zëdhënësja e institucionit të Avokatit të Popullit.
Në Raportin Vjetor për të Drejtat e Njeriut nga Departamenti i Shtetit në SHBA, theksohet se të drejtat e njeriut vijojnë të shkelen me raste dhune e abuzimi si tek komunitetet rome dhe tek gjina femërore dhe të miturit.
“Mënjanimi dhe abuzimi i bashkësive rome dhe egjiptiano-ballkanike ishin probleme të rëndësishme të të drejtave të njeriut. Probleme domethënëse ishin edhe rrahja nga policia dhe keqtrajtime të tjera të të dyshuarve gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje, hera-herës për t’u nxjerrë rrëfime. Probleme të tjera përfshinin dhunën në familje dhe diskriminimin kundër gruas, abuzimin e fëmijëve, si dhe diskriminimin mbi bazë orientimi seksual dhe identiteti gjinor. Vazhduan të raportoheshin raste të trafikimit të personave”, thuhet në raport.





