DURRËS, 1 gusht 2013 –Joana Qeleshi, ish-avokate e biznesmenit të përfolur serbo-boshnjak-britanik Damir Fazlliç, komandohet krye-gjyqtare e Durrësit, edhe pse tre durrsakë kishin aplikuar për postin, teksa Qeleshi aspiron për gjykatëse administrative. Më 19 korrik 2013 Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi që Joana Qeleshi të kryejë përkohësisht detyrën e kryetares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës deri në emërimin e kryetarit të ri nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Kjo për shkak se tri ditë më parë, më 16 korrik 2013, Ervin Metalla, kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, me dekret të Presidentit të Republikës dhe kryetar i KLD-së, Bujar Nishani, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Paqartësitë
Por KLD-ja nuk bën transparent faktin pse nuk u zgjodh njëri nga tre gjyqtarë nga Durrësi që kishin aplikuar për postin e kryetarit dhe komandon kolegen e tyre, Joana Qeleshi, që ka filluar punën si gjyqtare në Durrës më 28.12.2011. Natyrisht, KLD-ja e di që Qeleshi nuk i plotëson kriteret ligjore për të qenë plotësisht kryetare gjykate, por komandimi i saj si kryetare ad hoc hedh dyshime për motivet e vërteta të këtij vendimi, thonë juristë të Durrësit, të cilët nuk vënë në dyshim vlerat dhe kualifikimet e koleges së tyre në Kroaci, Beograd (shih faksimile), shkollën e magjistraturës etj.
Koincidencat
Lëvizja e Metallës ndodhi fill pas zgjedhjeve të 23 qershorit, duke u çuar në Apelin e kryeqytetit, më 16 korrik 2013, kurse më 25 korrik caktohet me short për t’u marrë me “pataten e nxehtë”, sikurse është çështja e 21 janarit, për të cilën ushtrohet trysni ndërkombëtare e fortë nga BE-ja dhe SHBA-ja. Fakti që KLD-ja kishte kohë më “okë” për të emëruar një nga tre aplikuesit për kryetar, brenda 3 ditësh, pas emërimit të Metallës në Tiranë, më 19 korrik 2013, katapulton Qeleshin. Ka dhe një koincidencë tjetër: në komisionin e ligjeve, kur u diskutua propozimi për emërimin e Elvis Çefës si nënkryetar të KLD-së, u tha se ai është shok i ngushtë i djalit të kryeministrit Shkëlzen Berisha.
“Qipriote”
Emri i Qeleshit u bë publik në mediat e opozitës, pasi, sipas tyre, më 10 shtator të vitit 2007, Qeleshi pajiset me prokurë të posaçme nga biznesmeni i përfolur Fazlliç për të bërë regjistrimin e një kompanie të tij në Qipro, kur Qeleshi punonte në studion e avokates tjetër Flutura Kola, ish-ortake e vajzës së kryeministrit, Argita Malltezi. Avokatja Joana Qeleshi nuk është prononcuar për faktet e bëra publike atëherë.
Info
1. Vendim Nr. 358, datë 19.07.2013 (shih faksimilen e parë)
“PËR DELEGIMIN E GJYQTAR(ES)IT JOANA QELESHI KRYETAR(E) I(E) GJYKATËS SË RRETHIT GJYQ(Ë)SOR DURRËS”
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i mbledhur më datë 19.07.2013, mbështetur në nenin 147 të Kushtetutës, në ligjin nr. 8811, datë 17.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar, në ligjin nr. 9877, datë 18.02.2008, “Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në Vendimin nr. 227/2 datë 28.03.2008 “Për funksionin drejtues në gjykata” të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe në Dekretin nr. 8271 datë 16.07.2013 “Për emërim Gjyqtari”, të Presidentit të Republikës, që emëron gjyqtarin Ervin Metalla, Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë, me propozim të disa anëtarëve të tij, vendosi :
1. Të delegojë gjyqtar(e)in e Gjykatës së Rrethit Gjyq(ë)sor Durrës zj. Joana Qeleshi, për të kryer përkohësisht detyrën e Kryetar(es)it (së)të asaj gjykate deri në emërimin e kryetarit të ri nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
2. Ervin Metalla
Më 25 korrik 2013, Gjykata e Apelit hodhi shortin për caktimin e dy gjykatësve të rinj për të shqyrtuar dosjen e “21 Janarit”. [Ish-kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës deri më 16 korrik 2013] Ervin Metalla dhe Evjeni Sinoimeri do jenë dy gjyqtarët e rinj që do të ndjekin çështjen e 21 Janarit në Apel duke zëvendësuar gjykatësit Fatos Qato dhe Agron Papajani.
3. Damir Fazlliç
TemA shkruan se biznesmeni serbo-boshnjak, me nënshtetësi britanike (lindur në vitin 1975) u kontraktua nga kompania BG&R në Shqipëri, në mbështetje të Partisë Demokratike në fushatën elektorale të vitit 2005. I lidhur fort me Lulëzim Bashën, në atë kohë zëdhënës i fushatës elektorale të PD-së, Fazlliçi krijoi javën e parë të pushtetit të PD brenda dy ditëve tri kompani, me statut të njëjtë, seli të njëjtë dhe administrator të njëjtë. Selia ishte shtëpia e vjehrrit të kryetarit të sapozgjedhur të PD-së, Lulëzim Bashës, statutet janë të gjitha tipike, me aktivitet të përgjithshëm tregtar dhe administrator i të gjithave është Erion Isufi, kunati i vetëm i Lulëzim Bashës. Sipas deputetit Erion Braçe, më 10 shtator të vitit 2007, krijon një kompani të re në Tiranë, të gjashtën, ALPHA, regjistrimin e së cilës e bën me një prokurë të posaçme avokate Joana Qeleshi, në institucionet e shtetit figuron si punonjëse e avokates tjetër Flutura Kola, ish-ortake e vajzës së kryeministrit, Argita Berisha (Malltezi).
4. Elvis Çefa
Data e zgjedhjes si anëtar i KLD-së: 12.4.2012; data e zgjedhjes si Zëvendëskryetar i KLD-së: 7.8.2012; datëlindja: 28 shtator 1973. Arsimimi: 2009-2011 master i nivelit të dytë në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës; 1992-1996 Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Përvoja në punë: janar 2009-gusht 2012 drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë; shkurt 2006-janar 2009 inspektor në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave; shkurt 2005-shkurt 2006 jurist në Departamentin Juridik dhe Kontrollit të Cilësisë në Kontrollin e Lartë të Shtetit Tiranë; maj 2004-janar 2005 jurist në Drejtorinë e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Shëndetësisë; shtator 2000-maj 2004 inspektor në Drejtorinë e Kontrollit Financiar pranë Prefektit të Qarkut Tiranë; prill -shtator 2000 drejtor i Departamentit Rajonal Tiranë të Kontrollit të Lartë të Shtetit; nëntor 1996-mars 2000 inspektor në Kontrollin e Lartë të Shtetit, Tiranë.
5. Arben Qeleshi
Një nga avokatët me të njohur të Shqipërisë; në vitin 1993, u emërua në prokurorinë e Tiranës, në 31 korrik, ka urdhëruar arrestimin e ish-Kryeministrit Fatos Nano nën akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe kërkoi dënimin e tij me 14 vite burg. Por është dënuar nga gjykata e Tiranës si debitor i AMC-së. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin Nr. 2700, datë 2.4.2010, ka vendosur “detyrimin e të paditurve… Arben Qeleshi… t’i paguajnë palës paditëse, shoqërisë “Albanian Mobile Communications” sh.a detyrimin e papaguar nga shërbimi telefonik celular, shumat si më poshtë: … 2. Arben Qeleshi shumën prej 110.215.08 lekë”. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendim Nr. 2626, datë 8.11.2012, e ka lënë në fuqi vendimin e faktit të Tiranës (shih faksimilen e fundit)
/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





