Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, mori pjesë ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, ku u diskutua projektbuxheti i planifikuar për institucionin që ajo drejton.
Ballanca kërkoi që të zgjerojë stafin e saj me të paktën një person, që do të merrej me adresimin e çështjeve klimaterike dhe me mbrojtjen e gjeneratave të ardhshme.
Gjithashtu Avokatja e Popullit kërkoi edhe makina të reja, pasi automjetet që disponon aktualisht ky institucion janë të vjetra dhe të amortizuara, të cilat kërkojnë shumë shpenzime për mirëmbajtje.
“Kërkesa e fundit që unë kam paraqitur ka të bëjë me përmirësimin e kapaciteteve të Avokatit të Popullit për të bërë inspektime. Ne shkojmë në çdo shtëpi pleqsh, në çdo shtëpi fëmijësh dhe në çdo komisariat. Ne bëjmë një numër shumë të madh inspektimesh çdo vit të cilat kryen nga stafi ynë.
Ju kam bërë një listë për të parë automjetet që ne kemi në përdorim. Automjetet që ne kemi janë të vitit 99 dhe vitit 2002, shumica prej tyre e falur nga institucionet e tjera. Gjendja është tërësisht e amortizuar, shpenzojmë më shumë të ardhurave për t’i mirëmbajtur, sesa në rast se do të blinim një mjet të ri.“,- tha Ballanca.