Java e fundit e kampionatit të rregullt në “Abissnet Superiore” do të luhet të shtunën në orën 16:00.

Teuta, Skënderbeu, Tirana dhe Dinamo City do të luftojnë deri në minutën e fundit për vendin e katërt në “Final Four”.

Në “Niko Dovana” do të zhvillohet një ndeshje e fortë mes Teutës dhe Dinamo City. Objektivi i të dyja skuadrave është vetëm fitorja.

Teuta vjen pas një momenti të mirë dhe kundër “nëndetëses” kërkon tri pikët me synimin për të marrë një biletë në final 4.

Për t’u kualifikuar në “Final 4”, Teuta duhet të mposht Dinamon dhe të shpresoj që Skënderbeu dhe Tirana të mposhten ose të dalin barazim në ndeshjet respektive.

Skënderbeu do të përballet në stadiumin “Loro Boriçi” me Vllazninë. Korçarët kërkojnë fitoren për të siguruar vendin e katërt, ndërsa kuqeblutë synojnë triumfin për të shpresuar deri në fund për vendin e dytë në kampionat.

Inline image

Ndërkaq në “Egnatia Arena” do të luhet ndeshja Egnatia – Tirana. Kryesuesit e Superiore kanë siguruar vendin e parë dhe vijnë të qetë në këtë sfidë, ndërsa bardheblutë luajnë vetëm për fitore, për të shpresuar deri në fund për “Final Four”.

Partizani në “Arenën e Demave” do të synojë fitoren e pestë radhazi ndaj Erzenit për të siguruar edhe vendin e dytë në kampionat, ndërsa në Laç do të luhet sfida Laçi – Kukësi.