Presidenti Bujar Nishani, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Global të Bakusë, zhvilloi edhe takime dypalëshe me presidentin azerbajxhanas Ilham Aliyev, presidentin gjeorgjian Giorgi Margvelashvili, si edhe me presidentin maqedonas Gjorge Ivanov. Në takimin me presidentin e Azerbajxhanit u vlerësuan shumë të mira marrëdhëniet politike mes dy vendeve, si dhe dëshira dhe vullneti i përbashkët për t’i intensifikuar ato në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për mbështetjen që presidenti Aliyev dhe pala azere në përgjithësi i kanë dhënë projektit të gazsjellësit TAP, në kuadrin e Korridorit të Jugut, si edhe shprehu besimin se implementimi i këtij projekti madhor do t’i hapë rrugën gazifikimit të Shqipërisë dhe do t’i forcojë më shumë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare mes dy vendeve. “Implementimi i projektit TAP do të ketë një impakt shumë pozitiv edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor,” – u shpreh presidenti Nishani.
Nga ana e tij, presidenti Aliyev u shpreh i sigurt për implementimin në kohë të gazsjellësit TAP dhe shumë optimist për të ardhmen e bashkëpunimit mes dy vendeve. Presidenti Aliyev, bazuar në eksperiencën e vendit të tij, shprehu gjithashtu mbështetjen dhe interesin e Azerbajxhanit për procesin e gazifikimit të Shqipërisë.





