Të paktën dy ushtarë gjetën vdekjen, pas një konflikti në kufirin midis Azerbajxhanit dhe të Armenisë. Ushtarët azerbajxhanas humbën jetën pas përplasjes me ushtarët armenë. Konflikti, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Azerbajxhanit, ndodhi kur ushtarët armenë kaluan kufirin shtetëror midis dy vendeve, por Armenia i hodhi poshtë pretendimet.
Qeveria armene pretendon se forcat e Azerbajxhanit kanë sulmuar disa fshatra në afërsi të kufirit të tyre të përbashkët, duke plagosur një civil në fundjavë. Ky është incidenti i fundit midis dy vendeve në lidhje me rajonin e kontestuar të Nagorni-Karabakut. Azerbajxhani e konsideron Nagorni-Karabakun si pjesë të territorit të tij, por rajoni është okupuar dhe administruar nga forcat pro-armene që nga fillimi i viteve 1990.