·        Fill pas qëndrimit të Tiranës pro çlirimit të Nagorni Karabak-ut nga trupat armenë, Baku-ja hedh sytë dhe nga vendi i vogël ballkanik. Kështu, duke filluar nga viti 2019, thonë analistë azerbajxhanas, Shqipëria, si dhe konsumatorët më të mëdhenj të gazit rus si Greqia dhe Italia do të marrin çdo vit 10 miliardë metra kub gaz, të nxjerrë në fazën e dytë të zhvillimit të vendburimit “Shah Deniz”

 

DURRËS, 16 mars 2014 –  Ngadhënjimtari i krizës ndërkombëtare të Krime-së mund të dalë Azerbajxhani i pasur me burime energjetike, në qoftë se Perëndimi do të heqë dorë nga Rusia si furnizues i gazit natyror, pohojnë analistë azerbajxhanas, të cituar nga http://ca-news.org/news:1103069/.

Nuancat e holla diplomatike, pikërisht synimi i Baku-së për të mos acaruar edhe një herë Rusinë, dëshmojnë për faktin se çdo përpjekje e Azerbajxhanit për të përdorur situatën e krizës do të merrte karakter prapaskenash, shkruan Eurasianet.

Duke analizuar reagimin e tyre potencial ndaj pushtimit të Krime-së nga Rusia, vendet e BE-së përballen me dilemën, që konsiston në varësinë e tyre nga furnizimet me gaz natyror rus. Çfarëdolloj sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë nga ana e BE-së mund të çojë në pezullimin e këtyre furnizimeve. Dhe madje nëse kriza e Krime-së do të matarohej njëfarësoj, tensioni latent midis Ukrainës dhe Rusisë mund të ndikojë negativisht në blerjet me shumicë të gazit nga Evropa, duke pasur parasysh faktin se rreth një e treta e vëllimit të furnizimeve ruse kryhet nëpër territorin e Ukrainës.

LOJA E GAZIT NATYROR

Papërcaktueshmëria rreth furnizimeve ruse hap mundësi për Azerbajxhanin, i cili prej kohësh ushqen ambiciet evropiane. Në vitin 2013 në këtë vend u nxorën 29 miliardë metra kub gaz dhe, sipas ministrit të Industrisë dhe Energjetikës Natik Alijev, Azerbajxhani mund të shesë afërsisht 62 për qind të këtij vëllimi, kurse në vitin 2014 ky tregues planifikohet të rritet edhe me 2 miliardë metra kub.

Krahasuar me Rusinë, e cila, sipas rezultateve të vitit 2013, është e dyta pas SHBA-së, si prodhuesja më e madhe e gazit në botë (668 miliardë metra kub), atëherë Azerbajxhani “nuk është në gjendje të shndërrohet në alternativën përkatëse ndaj burimeve ruse energjetike”, por ai tashmë po i shërben “Evropës si mbështetje në çështjen e uljes së varësisë nga gazi rus”,- vëren kreu i qendrës analitike joqeveritare “Atllas” Elhan Shahinogllu.

Kohët e fundit, vëmendja e vazhdueshme i kushtohet vendburimit masiv “Shah Deniz”, rezervat e cilit vlerësohen në 1,2 trilionë metra kub gaz. Fill pas qëndrimit të Tiranës pro çlirimit të Nagorni Karabak-ut nga trupat armenë, Baku-ja hedh sytë dhe nga vendi i vogël ballkanik. Kështu, duke filluar nga viti 2019, thonë analistë azerbajxhanas, Shqipëria, si dhe konsumatorët më të mëdhenj të gazit rus si Greqia dhe Italia do të marrin çdo vit 10 miliardë metra kub gaz, të nxjerrë në fazën e dytë të zhvillimit të vendburimit.

Sipas mendimit të Shahinogllu-së, Evropa tani po aktivizon mbështetjen e saj për dy gazsjellës, nëpërmjet të cilëve këto vëllime do të pompohen në vendet e Evropës Juglindore, pikërisht për gazsjellësin Transanatolian (TANAP), i kontrolluar nga kompania publike e naftës e Azerbajxhanit (SOCAR) dhe për gazsjellësin Transadriatik (TAP), në të cilin SOCAR-it i përket 20 për qind.

Sikurse bëri të ditur më 12 mars 2014 në një konferencë në Baku zëvendës nën-presidenti i SOCAR-it Vitalij Begljarbekov, kompania është gati të sigurojë infrastrukturën e vet të transportit të gazit për bashkëpunim me vendet e reja, njofton agjencia e lajmeve “Turan”.

NDËRMJETËS

Teorikisht, këto furnizime mund të fillojnë tashmë këtë vit, thotë eksperti i çështjeve energjetike Ilham Shaban. Në veçanti, kjo mund të sigurojë diversifikimin e një tregu evropian, i lidhur plotësisht me furnizimet e gazit rus – Bullgarinë. “Nëse BE-ja do të financojë ndërtimin e një dege të shkurtër, të brendshme 180 kilometra të gazsjellësit midis rrjeteve gaz-shpërndarëse të Turqisë dhe Bullgarisë”, atëherë nëpër të do të mund pompoheshin në vitin 2014 në Bullgari 2 miliardë metra kub gaz, thotë eksperti. Zbatimi i këtij projekti “mund të zgjasë disa muaj dhe nuk kërkon investime të mëdha”.

Megjithatë , BE-ja “nuk do të nxitohet për vendimmarrje , siç u vërejt me projektin “Nabucco”, – shton Ilham Shabani. – Unë nuk jam i sigurt se ka vullnet të mjaftueshëm për realizimin e këtij projekti”.

Në përfaqësinë e BE-së në Baku nuk iu përgjigj kërkesës për komente. Perspektiva të tjera furnizimesh me gaz në Evropë nëpërmjet Azerbajxhanit duken më tepër si hamendësime.

Planet për transportimin e gazit të lëngshëm natyror në Ukrainë dhe Rumani nëpërmjet territorit të fqinjit verior të Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, dhe nëpër Detin e Zi “u harruan kryesisht për shkak të kostos së lartë të projektit dhe mungesës së investitorëve”, thotë Ilham Shabani. “Tani BE-ja dhe SHBA-ja mund t’i ringjallin”, shton ai, “por deri më tani nuk vërehen shenja aktiviteti në këtë drejtim”.

Në perspektivë Azerbajxhani gjithashtu mund të luajë rolin e ndërmjetësit të gazit për Evropën. Në mes të shkurtit 2014, Ministri i Punëve të Jashtme i Azerbajxhanit Elmar Mamedjarov i propozoi Irakut akses në gazsjellësit TANAP dhe TAP. Deri tani Bagdadi nuk i është përgjigjur këtij propozimi.

Elhan Shahinogllu thotë se Bashkimi Evropian gjithashtu mund të përpiqet të nxisë furnizime gazi turkmen nëpër detin Kaspik dhe territorin e Azerbajxhanit. Kompania BP-Azerbaijan ka shprehur interesin e saj, njofton agjencia e lajmeve “Turan”. Megjithatë pengesë në këtë mënyrë mund të bëhen divergjencat e dikurshme mes dy vendeve. Përveç kësaj, presidenti i Turkmenistanit Gurbangulli Berdimuhamedov e rekomandonte veten si një njeri, që merr në përgjegjësi të ndryshme, por që nuk e ka çuar një çështje deri në fund.

Duke reflektuar mbi mundësitë që kanë në dispozicion, autoritetet azerbajxhanase veprojnë me kujdes. Detyra kryesore e tyre është ta bëjnë politikën e vet në sektorin e energjisë në mënyrë që të mos provokojnë udhëheqësin suprem të Rusisë Vladimir Putin për të marrë ndonjë masë ndëshkuese. Në përputhje me rrethanat, Baku-ja nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare lidhur me krizën e Krimesë. Qëndrim analog autoritetet azerbajxhanase kanë mbajtur dhe gjatë luftës ruso-gjeorgjian të vitit 2008.

Konsultime të gjera me BE-në dhe SHBA-në për zgjerimin e bashkëpunimit energjetik janë të pamundura, thotë Shahinogllu-ja. “Por këto çështje mund të diskutohen në heshtje prapa dyerve të mbyllura”, – vëren ai .

TËRHEQJA E TRUPAVE NGA AFGANISTANI

Përveç zgjerimit të perspektivave në sferën e eksportit të burimeve energjetike, Azerbajxhani mund të luajë një rol më aktiv në sferën e sigurisë gjatë tërheqjes së trupave amerikanë dhe të NATO-s nga Afganistani.

Pas ndërhyrjes së trupave rusë në Ukrainë më 28 shkurt 2014, Uashington pezulloi bashkëpunimin ushtarak me Moskën. Ky hap mund të ndikojë negativisht në mundësinë që SHBA-ja të përdorë territorin dhe hapësirën ajrore të Federatës Ruse për tërheqjen e njerëzve dhe teknikës nga Afganistani. Në seancën dëgjimore të Senatit amerikan më 11 mars 2014, lidhur me emërimin e tij si komandant i Komandës së Transportit (Commander of Air Mobility Command) të SHBA, gjenerali i forcave ajrore Pol (Paul) Selva deklaroi: “Në rast se rusët do të merrnin masa për të kufizuar aksesin tonë në segmentet ruse të Rrjetit të Shpërndarjes Veriore, kemi opsione të tjera për të lëvizur këtë ngarkesë brenda dhe jashtë Afganistanit, njoftoi portali militarytimes.com.

Dhe këtu del në skenë Azerbajxhani: nëpërmjet aeroportit të Baku-së duhet të kalojnë 40 për qind e mallrave dhe trupave NATO-s, që tërhiqen nga Afganistani.

Tani, kur e ardhmja e itinerarit rus u vu në pikëpyetje të madhe, kurse korridori pakistanez konsiderohet i dështuar, Azerbajxhani paraqitet si variant “transit i besueshëm” për aleancën në procesin e tërheqjes së trupave nga Afganistani, pohon analisti nga Baku-ja Vafa Gulluzade, ish-kryekëshilltar për politikën e jashtme i presidentit ndjerë të Azerbajxhanit Hejdar Alijev.

Këtë mendim ndan dhe drejtuesi i qendrës analitike “Doktrina” eksperti ushtarak Xhasur Sumerenli. Së shpejti do të mbahen “konsultime të nivelit të lartë” për të studiuar mundësinë e rritjes së peshës së Azerbaijan në transitin afgan “të paktën deri 60 për qind në fund të vitit 2014”, parashikon ai.

Zyrtarët e Pentagonit janë të kujdesshëm në biseda për këtë temë, kurse diplomatët amerikanë në Baku nuk iu përgjigjën kërkesës për komente. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit gjithashtu nuk pranoi të komentojë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/