Pasditen e sotme shtëpia e të moshuarve në qytetin e Fierit u përshi nga flakët, për shkak të një shkëndije elektrike në gabinën që ndodhej  pas godinës.

Si pasojë e tymit, pesë të moshuar të cilët u asfiksuan u transportuan në spitalin Rajonal të Fierit, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Për fat të mirë, stafi i azilit dhe policia e kapën situatën në kohë dhe bënë të mundur evakuimin të gjithë të moshuarve në kohë nga godina.

Disa prej të moshuarve u shprehën për mediat se të gjithë janë mirë, pavarësisht se në momentin e parë u frikësuan.

“Shyqyr që nuk ra natën. Një panel elektrik bëri masë dhe ka ardhur i gjithë tymi brenda. Policia dhe njerëzit e tjerë i nxorën të gjithë jashtë. Asnjë nuk është prekur sa maja e thojit. Më shumë na futi në panik e bërtitura” tha një prej të moshuarve.

Në krahun tjetër kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi tha  ndër të tjera, se për shkak se godina është e vjetër, do të shikohet mundësia e ndërtimit të një godine të re.

Ajo që ngelet tani është që ne të punojmë intensivisht dhe sa më shpejt të rikthejmë të moshuarit.

Për shkak se godina është e vjetër, mund të shihet  mundësia e një bashkëpunimi, ose mundësia e ndërtimit të një shtëpie të re të moshuarish.

Rikonstruksion po e po, por pse jo një shtëpi të re, me parametrat e duhura” tha Subashi.

Mësohet se të gjithë të moshuarit mbrëmjen e sotme janë dërguar në spitalin Rajonal të Fierit për t’u strehuar atje  sonte dhe për t’u rikthyer në godinë gjatë ditës së nesërme.