Ministria e Brendshme i ka dërguar Komisionit të Shëndetësisë një kërkesë që azoti të shpallet lëndë psikotrope.

Në shkresën që mban firmën e ministrit Taulant Balla, shkruhet se nga operacionet e fundit policore është vënë re shqetësimi për përdorimin nga të rinjtë të lëndëve në formë gazi të llojit N2O, azot dhe dioksid karboni.

Sipas ekspertëve të mjekësisë, thuhet më tej, këto lëndë sjellin probleme shëndetësore. Duke qenë se këto lëndë nuk klasifikohen aktualisht si lëndë narkotike apo psikotrope lind nevoja për përfshirjen e tyre në listën që i bashkangjitet ligjit “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, i ndryshuar.