TIRANE, 24 qershor 2013 – Është e pabesueshme, por e vërtetë. As kjo humbje e qartë, dhe e thellë, nuk e ka bërë Berishën të ftillohet. E prandaj nxjerr në foltore Bregun e Bogdanin për të lexuar deklarata fitoreje. Dhe nga radhët e demokratëve nuk bëhet i gjallë askush. I vetmi që ka dalë në shesh me një deklaratë elokuente është Besnik Mustafaj, i cili ka kohë që nuk është marrë me punët e kësaj partie. Ai ka shkruar në profilin e tij, në facebook:
“Ju drejtohem të gjithë demokratëve e në mënyrë të posaçme asaj bërthamës së mrekullueshme që dikur quheshin me krenari “qëndrestarë”. E sotmja sigurisht që nuk është një ditë e gëzueshme për ne. Më kryesorja dhe e domosdoshme është që asnjë prej jush të mos ndjehet i thyer. Ju duhet të mblidhni forcat, krenarë që jeni demokratë dhe të bëni një analizë thellësisht të sinqertë me veten dhe njëri-tjetrin, të arsyeve pse kjo humbje dhe sidomos pse në këto përmasa. Nëse demokratët e vërtetë zhyten në dëshpërim, dëmin e madh e ka Shqipëria jonë e shtrenjtë”





