16 mars 2014– Ditët e fundit disa surretër shqiptarësh bënë xhiron e botës si terroristë islamikë, mercenarë, në luftën civile në Siri, që kishin dërguar në vendin arab edhe gratë e vet edhe fëmijët e mitur. Një artikull në prestigjozen “Detroit News” shërben si kundër pedal me këto lajme negative. Artikulli i gazetarit të shquar amerikan Mark Hicks përshkruan atmosferën në teqenë shqiptare të Detroitit. Në artikull vihet theksi te paqja, mirësia, urtësia dhe toleranca, që rrezatojnë baballarët e teqesë në komunitetin shqiptar në Detroit e në mbarë Amerikën.
Pasi bëhet një histori e shkurtër e teqesë, që nga koha e Baba Rexhepit, i cili u largua nga Shqipëria në mesin e viteve 40-të, për shkak të persekucionit komunist, ofrohet një portret i ndjerë i baba Arshi Bazajt 108 vjeçar. Artikulli shoqërohet me foto të baba Arshiut, “patriarkut” të komunitetit shqiptar bektashi në Amerikë. Në artikull ofrohen dëshmi të anëtarëve të shquar të komunitetit bektashi në Amerikë si zonja Nake Premtja, z. Marion Toptani me origjinë nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, zonja Nancy Topulli me origjinë nga qyteti i Gjirokastrës apo zonjusha Egi Deromemaj po nga jugu i Shqipërisë.
Rick Sollars kryebashkiaku i qytezës së Taylor-it afër Detroitit, shprehet shumë pozitivisht për komunitetin shqiptar në zonë. Ai vlerëson lart rolin pozitiv, paqësor, iluminist, madje edhe patriotik të teqesë në rradhët e shqiptarëve të Amerikës. Ky qëndrim paqedashës i kësaj teqeje bektashije, pjesë e sekteve islamike sufi, kontraston fort me xhamitë vatra të ekstremizmit islam dhe shtretër të ngrohtë, ku kultivohen ekstremistët, militantët dhe terroristët e së nesërmes. Varri i Baba Rexhepit (vdekur në v.1995), sipas kryebashkiakut Sollars, është shndërruar në një vend të shenjtë mjaft të respektuar nga shqiptarët bektashinj.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





