Babagjyshi ka trokitur në dyert e familjeve të ndryshme në Durrës me rastin e festave të fundvitit, duke gëzuar e surprizuar fëmijët me praninë e tij dhe çokollatat që u ka shpërndarë.
I veshur me kostumin që fëmijët aq shumë duan ta shohin për Krishtlindje, e me thesin mbushur me çokollata, ky Babagjysh në Durrës ka shkuar në cepe të ndryshme të qytetit, nga Porto-Romano deri në Pezë Helmes, për të surprizuar jo vetëm fëmijët, por edhe nënat shtatzënë apo edhe gratë e sëmura.
Babagjyshi është ndalur edhe në sheshin kryesor të Durrësit, “Liria”, ku ndër personat e shumtë që ka takuar, ka qenë edhe stafi i Policisë Bashkiake.
Babagjyshi durrsak ka zgjedhur këtë mënyrë të veçantë që të lumturojë fëmijët, pse jo për t’iu dhuruar sa më shumë buzëqeshje edhe të rriturve…





