E nisi boksin 5 vite më parë, pa e menduar ndoshta se do të shpallej kampione e Shqipërisë në këtë sport, titull që e mori këtë vit.
Ermira Rexhmati është një vajzë e re, me një pasion të madh për një sport, që konsiderohet burrëror. Çdo ditë udhëton nga Gjiri i Lalzit për t’iu bashkuar ekipit të Teutës në stërvitje.
Kur nisi fillimisht të praktikohej në sportin e boksit, vajza me origjinë nga Kukësi nuk i tha asgjë familjes.
Siç rrëfen në një intervistë për “DurrësLajm”, babai i saj e mori vesh vetëm 2 ditë para ndeshjes, se do të ngjitej në ring.
Për të ishte një surprizë e madhe që vajza e tij e vogël do të boksonte, por tani është mbështetësi i saj më i madh.
5 vite më parë, Rexhmati hoqi dorë nga profesioni i parukieres për t’iu përkushtuar boksit, kikboksit dhe Muai-thai-t, por ajo vazhdon të pikturojë dhe qëndisë, sepse siç pohon dhe vetë i pëlqen të merret dhe me art.
Për të zbuluar më shumë rreth “burrneshës”, që më datë 29 nëntor do të ngjitet në ring, në edicionin e pestë të turneut “Titans Fights”, për t’u përballur me një rivale turke ndiqni më poshtë të plotë intervistën e saj dhënë për “DurrësLajm”.
M.B.