TIRANË – Prindërit e Denis Almadhit, 11-vjeçarit që humbi jetën pas një ndërhyrjeje në sy në QSUT i kërkuan sot Kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla hetim ndërkombëtar. 

Fatmir Almadhi, pas vdekjes së djalit të tij, Denisit, kërkon e vërteta të dalë në shesh, në mënyrë që fatin e vogëlushit të tij mos ta ketë asnjë fëmijë tjetër. 

Pas takimit me prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla Almadhi u shpreh para mediave se kërkon të çojë deri në fund amanetin e Denisit, për zbardhjen e të vërtetës.

“Sa i takon përgjigjes nga ana e laboratorit ka të dhëna që ne na krijojnë shqetësim. Ajo që kërkojmë është meqë ekspertiza mjeko-ligjore nuk është në gjendje të japë rezultatin e saj nëpërmjet hemoglobinës së urinës, kërkojmë që kjo analizë të bëhet në laboratorët më të mira në Evropë. Kërkojmë ekspertizë ndërkombëtare që të dalë e vërteta. Nuk është problemi vetëm për Denisin. Ne kemi një amanet të Denisit që të zbardhim të vërtetën. Ky amanet nuk na përket vetëm ne, por troket në shpirtin e të gjithëve. Me këtë do i dërgojmë mesazh të gjithë opinionit shoqëror, se ne nuk e ndjekim vetëm për të drejtën tonë, por do dëshironim që fatin e Denisit të mos e ketë fëmijë tjetër në Shqipëri, të pasi jeta është shumë e shtrenjtë”,- u shpreh në lot i ati i vogëlushit të ndjerë.