KORCE, 12 mars 2013- Drejtësia në Shqipëri është e 'kalbur'. Ësh të turp që kemi një shtet të tillë. Kjo drejtësi e dënoi pedofilin që tentoi të abuzonte me vajzën time, sikur ai kishte vjedhur një pulë. Jam i skandalizuar nga vendimi i gjykatës, ndaj jam i detyruar të bëj vetëgjyqësi. Vladimir Xhelollarin nuk e lë të gjallë. Do ta vras sa të dalë nga burgu, pasi nderin e kam të shenjtë". Kështu deklaroi dje Artan Maxhari, babai i 12-vjeçares E.M. nga fshati Leminot i Korçës. Në tetor të vitit që shkoi, 52-vjeçari Xhelollari, nën kërcënimin e thikës tentoi të abuzonte seksualisht me minorenen. Pas ngjarjes, vajza në kushtet e një tronditjeje psi-kologjike, tentoi dy herë vetëvarjen në banesë me litarin e qenit, por që fatmirësisht u kap në kohë nga familjarët, të cilët i shpëtuan jetën. Reagimi i babait të 12-vjeçares vjen pas vendimit të dhënë pak ditë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Korçës, e cila e dënoi pedofilin me 2.8 vjet burg për akuzat "Kanosje" dhe "Kryerje të veprave të turpshme". Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Artan Maxhari pohon se është shumë i revoltuar dhe se ka humbur besimin tek drejtësia. Ai thotë se ndonëse kanë kaluar 5 muaj, vajza e tij vijon të jetë në gjendje të rënduar psikologjike. 

Si ndiheni tani që 52-vjeçari që tentoi të abuzonte me vajzën tuaj u dënua me 2.8 vjet burg?

Ndihem shumë keq. Shteti ka marrë fund kur jep vendime qesharake për çështje kaq të rëndësishme. Kur mësova vendimin për të, u skandalizova dhe nuk po arrija t'u besoja veshëve e syve, por me këtë drejtësi të korruptuar që ne kemi, gjithçka është e mundur. Pedofili u dënua sikur të kishte vjedhur një pulë. Dhe të jeni të sigurtë, nëse do kishte vjedhur pulën një person, do dënohej edhe më shumë. Nuk di ç'të them, por është turp që kemi një shtet të tillë. Madje do thosha që kemi një drejtësi të "kalbur", që është e tillë falë këtij pushteti që ne e kemi votuar vetë. Sot mallkoj veten që i kam dhënë votën, kur shoh si po ma shpërblen. 
 

E keni apeluar vendimin?

Nuk e dija, se nuk më njoftoi njeri. Madje edhe në seancat gjyqësore nuk më thirrën kurrë. Gjithçka e bënë vetë, edhe pse unë duhej të isha aty. Nuk ua dija radhën gjërave; kur e mësova unë, kishte përfunduar afati për të apeluar vendimin. Megjithatë, atë që nuk e bëri drejtësia do e bëj unë. Gjithsesi unë e humba plotësisht besimin tek drejtësia dhe nuk kisha pse të humbja kohë kot. Por atë nuk do e fal. 
 

Çfarë nënkuptoni kur thoni që, do të bëni atë që nuk bëri drejtësia?

Unë nderin e kam të shenjtë. Do e vras vetë, se nuk mund të duroj një turp të tillë. Dhe për më tepër, nuk e duroj dot vajzën time në këtë gjendje të rënduar psikologjike ku është sot për shkak të traumës që pësoi nga tentativa abuzuese e pedofilit. Ju e dini që ajo bëri dy tentativa vetëvrasjeje. E përsëris, do e vras vetë kur ai të lirohet. Nuk mund të lejoj që ai të më kalojë para dyqanit sikur nuk ka ndodhur asgjë, ndërkohë që vajza ime vuan ende pasojat e këtij pedofili. Më ka shkelur në kallo dhe nuk e lë të gjallë. I kam marrë parasysh të gjitha pasojat. 
 

Si është aktualisht gjendja e vajzës suaj? 

Copë-copë është gjendja e vajzës sime. Dëgjon fjalë në shkollë dhe vjen edhe mbyllet në vetvete, qan dhe nuk pranon të flasë me njeri. Nuk është më si më parë, është e mbyllur dhe nuk qesh kurrë. Kjo më lëndon shumë, madje do lëndonte çdo baba që do ndodhej në vendin tim, megjithëse nuk ia uroj askujt të provojë një ndjesi të tillë. Trembet shpesh natën dhe i del gjumi. Në fakt nuk e lëmë në asnjë moment vetëm, se kemi frikë nga ndonjë tjetër tentativë. 
 

Familja e autorit, ju ka kërkuar falje? 

Absolutisht jo, dhe nuk e dua faljen e tyre, pasi do më lëndonin edhe më shumë. Nuk dua t'i shoh me sy. Ndërsa autori i krimit, Vladimiri ka punë me mua. Nderin nuk e shes dhe nuk e blej, por e mbroj me gjak deri në fund. Nuk do jem i qetë deri sa të vendos nderin në vend; për këtë po jetoj me shpresë.