Një ngjarje e rëndë është shënuar në malin e Pashtrikut, ku një 27-vjeçar nga fshati Kishaj i Hasit rezulton i zhdukur që prej pasdites së së dielës, ndërsa i ati i tij është gjetur sot në gjendje të rënduar fizike dhe psikologjike.

I riu, Ajet Lleshi, ishte nisur në mëngjes për të prerë dru në pyll, por që nga ora 17:00 të ditës së djeshme familjarët kanë humbur çdo kontakt me të. Të shqetësuar, ata kanë lajmëruar policinë, ndërkohë që babai i tij, Riza Lleshi, së bashku me tre xhaxhallarët, kanë nisur kërkimet në mal.

Të ndarë në drejtime të ndryshme, kërkimi i tyre u ndërlikua nga kushtet e vështira atmosferike dhe terreni i thepisur. Rreth orës 2 të mëngjesit, familjarët humbën kontaktet edhe me babain e 27-vjeçarit.

Menjëherë pas sinjalizimit, forcat e policisë, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe banorë të zonës, u angazhuan në kërkime intensive. Pas disa orësh, ata arritën të gjenin Riza Lleshin në malin e Pashtrikut, në gjendje të rënduar fizike dhe psikologjike.

Kërkimet për të riun e zhdukur vijojnë ende, ndërsa reshjet e dendura të borës dhe temperaturat e ulëta po e vështirësojnë operacionin e shpëtimit.