KINE – Ai preku kompjuter për herë të parë në vitin 1995 me aq frikë, sa shokut të vet iu desh t'i kujtonte se nuk po prekte ndonjë bombë. Më pak se dy dhjetëvjeçarë më pas, ai është një ndër sipërmarrësit kryesorë në fushën e internetit në Kinë. Quhet Xhek (Jack) Ma dhe është themeluesi i “Alibaba”, kompania mbizotëruese e industrisë së ankandit në internet, që u ofron si bizneseve, ashtu edhe konsumatorëve një treg për shitblerjen e prodhimeve të ndryshme, që nga pajisjet kompjuterike deri te gjëja e gjallë. Sot Xhek Ma është një ndër njerëzit më të pasur në Kinë e në botë. Por sigurisht nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Kur ishte 12 vjeç, Xhek Ma nisi të kishte interes për të mësuar gjuhën angleze. Për tetë vjet ai ngiste biçikletën 40 minuta çdo mëngjes, në shi e borë, për në një hotel pranë Liqenit Perëndimor të Hangzhou-t, një qytet i njohur në Kinë rreth 150 kilometra larg Shangait. Ishte koha kur Kina po hapej dhe shumë turistë të huaj shkonin në Hangzhou për të parë liqenin e famshëm. Xhek Ma nisi të shërbente si udhërrëfyes për turistët falas, me qëllim që të ushtronte anglishten. Këto tetë vjet e ndryshuan thellësisht dhe e bënë, siç thotë vetë, të jetë më i globalizuar se shumë bashkëkombas të vet.

Pasi përfundoi shkollën e mesme, Xhek Ma dështoi dy herë në provimet e pranimit në universitet, para se të niste studimet në Universitetin Pedagogjik të Hangzhou-t për t'u bërë mësues anglishteje. Pas diplomimit, ishte i vetmi ndër 500 studentët që përfunduan studimet atë vit që u caktua të punojë në universitet. Paga e miliarderit të ardhshëm ishte atëherë vetëm 100-120 juanë (rreth 12-15 dollarë) në muaj, Ma mendonte që, pasi të mbaronte pesë vjetët e kontratës, të niste punë në ndonjë biznes, në ndonjë hotel a çfarëdo tjetër. Dhe në vitin 1992, kur mjedisi i biznesit nisi të përmirësohej, ai nisi të aplikojë për shumë vende pune, por pa sukses. Ndaj ai vijoi punën në universitet, teksa hapi edhe një firmë përkthimiku punonte me kohë të pjesshme.

Por në vitin 1995 do të vinte udhëtimi që do t'i ndryshonte jetën. Ma shkoi në Los Anxheles të SHBA-së si përkthyes për një kompani kineze që do të krijonte një ndërmarrje të përbashkët me një kompani amerikane. Para se të kthehej në Kinë, ai vendosi t'i bënte një vizitë një shokut të vet që jetonte në Siatëll. Pikërisht në shtëpinë e këtij shoku Ma preku për herë të parë tastierën e një kompjuteri, që ai e kujton edhe tani që ishte i markës "Apple".

"Pata frikë," kujton ai reagimin e parë pasi preku kompjuterin, "sepse pak kompani në Kinë kishin kompjutera. Kompjuterat shiheshin si një teknologji shumë e lartë dhe shumë e shtrenjtë. Ndaj shoku im më tha: 'Xhek, prek çfarë të duash, se nuk është bombë'."

Po aty ai pa për herë të parë internet, i cili ishte i panjohur asokohe në Kinë. Ai shtypi fjalën e parë në motorin e kërkimit "Yahoo". Ajo fjalë ishte "beer" (birrë). Të bashkëshoqëruar me të ai pa mbiemrat "amerikane", "gjermane" dhe "japoneze", po jo "kineze". Kur e shtypi këtë fjalë, as në "Yahoo" e as në "Lycos" nuk gjeti ndonjë të dhënë.

Ndaj kur u kthye në Kinë vendosi të krijojë një uebsajt të cilin e quajti "China Pages" (Faqet e Kinës). "Huajta 2 000 dollarë për ta krijuar këtë kompani," thotë ai. "Nuk dija asgjë për kompjuterat personalë apo postën elektronike. Ja përse e quaj veten "'i verbër që ecën mbi shpinën e një tigri të verbër'".

Kompania e tij konkurroi për një vit me një kompani të fuqishme të telekomunikacionit si "China Telecom". Manaxheri i përgjithshëm i "China Telecom" ofroi të investonte 185 000 dollarë për një sipërmarrje të përbashkët me "China Pages". "Kurrë nuk kisha parë aq shumë para në jetën time," kujton Xhek Ma. Por përballë një gjiganti të tillë si "China Telecom", ai thotë se ndihej "si milingona para elefantit". Ndaj dha dorëheqjen dhe pranoi ofertën për të punuar në Pekin në krye të një ekipi qeveritar që kishte si detyrë nxitjen e tregtisë në internet në Kinë.

Por ëndrra e tij ishte të krijonte firmën e vet të tregtisë në internet. Ndaj në vitin 1999 ai mblodhi 18 veta në shtëpinë e vet dhe u foli për dy orë të tëra lidhur me vizionin e vet. Ishte kaq bindës, saqë secili prej të pranishmëve hodhi paratë në tryezë, dhe kështu ai siguroi 60 000 dollarë për të nisur "Alibabën". Lidhur me arsyen përse zgjodhi këtë emër, ai thotë: "Doja të kisha një kompani globale, ndaj zgjodha një emër global. 'Alibaba' është e lehtë për t'u shqiptuar dhe njerëzve kudo u kujton "Hapu, Susam", urdhrin që Ali Baba përdorte për të hapur dyert e thesareve të fshehura te 'Një mijë e një net”.

Në fillim, thotë ai, nuk kishim para, nuk kishim teknologji dhe nuk kishim plan. Arsyen e mbijetesës ai e sheh në kursimin e çdo qindarke. Edhe zyrën e kishte në apartamentin e vet. Por kompania nisi të zgjerohej kur mori para nga "Goldman Sachs" in 1999 and pastaj nga "Softbank" në 2000.

Por përsëri rruga nuk ishte e lehtë. Xhek Ma e quan "Alibabën" "1 001 gabime." "U zgjeruam shumë shpejt," tregon ai, "pastaj hasëm shumë vështirësi kur interneti kaloi krizë. Në vitin 2002 kishim para për të mbijetuar vetëm 18 muaj. Kishim shumë anëtarë që e përdornin uebsajtin tonë falas, dhe ne ende nuk e dinim si të bënim para. Ndaj krijuam një platformë ku eksportuesit kinezë mund të kontaktonin blerësit amerikanë në internet. Ky model na shpëtoi. Në fund të 2002-shit, patëm vetëm një dollar fitim. Por çdo vit u përmirësuam dhe sot 'Alibaba' është shumë fitimprurëse".

Sot "Alibaba.com" është vendi ku mbi 7 milionë importues nga 200 vende të botës "takohen" përditë dhe bëjnë biznes me mbi 2 milionë firma kineze. Në "Alibaba.com" një tregtar italian ose brazilian mund të njihet me prodhuesit e ndryshëm të enëve të kuzhinës a veshjeve "Made in China", më pas mund të bëjë zgjedhjen e tij dhe të blejë pa pasur nevojë të përballojë kostot e dërgimit ndërkombëtar.

Sot grupi "Alibaba" punëson dhjetëra mijë veta jo vetëm në Kinë, po edhe në Japoni, Korenë e Jugut, Indi, Britani e ShBA. Ai ka filiale ne "Silicon Valley" të Kalifornisë, Londër, Tokio e në Amerikën Latine. Por Xhek Ma thotë se ai dëshiron të krijojë një milion vende pune dhe ta bëjë Kinën tregun më të madh të internetit në botë. "Ajo që është e rëndësishme në jetën time," thotë ai, "është që të bëj diçka që të ndikojë mbi sa më shumë njerëz".