“Nëse do t’i dija planet e tim biri, do e kisha vrarë me duart e mia”. Babai i atentatorit të tretë të Bataklanit në Paris, ku u vranë rreth 90 vetë më 13 nëntor, tregon se i biri kishte shkuar në Siri.

Foued Mohamed-Aggad, 23 vjeç, i lindur në Francë, është personi i identifikuar nga policia vendase si një nga personat që bëri masakrën në sallën e koncerteve. Ai hodhi veten në erë dhe policia e ka identifikuar në sajë të krahasimit të ADN-së me familjarët e tij.

Nëna e tij kishte marrë një mesazh tronditës nga Siria, të cilin mendohet se ia ka dërguar gruaja e djalit. “Djali yt vdiq si martir bashkë me vëllezërit e tij më 13 nëntor”, ishte mesazhi, të cilin ajo ia paraqiti më pas policisë.

Prej muajit gusht ata nuk kishin dëgjuar më për të birin, derisa mëngjesin e djeshëm mësuan faktin nga mediat.

Edhe dy atentatorët e tjerë të Parisit, vëllezër mes tyre, ishin francezë të lindur, por kishin qenë në Siri.