Jamie Spears, babai i Britney Spears ka rënë dakord të japë dorëheqjen si kujdestar i këngëtares pas 13 vitesh.
Lajmi raportohet nga mediat amerikane. Karriera e këngëtares ka qenë në duart e kujdestarëve ligjorë që nga shqetësimet publike mbi shëndetin e saj mendor në vitin 2008.
Marrëveshja e urdhëruar nga gjykata i dha babait të saj, Jamie Spears, kontroll mbi pasurinë e saj dhe aspekte të tjera të jetës së këngëtares.
Por më vonë Britney kërkoi ta hiqte babain nga ky rol, duke e akuzuar atë për “abuzim me kujdestarinë”.
Jamie Spears ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë për keqbërje dhe ka shprehur shqetësim për shëndetin e vajzës.
Një lëvizje e fansave, e njohur si fushata #FreeBritney, dëshiron që këngëtarja të rimarrë autonominë në punët dhe jetesën e saj.
39-vjeçarja i ka thënë një gjykatësi se ajo ishte droguar, e detyruar të vepronte kundër vullnetit të saj dhe ishte ndaluar të kishte fëmijë.
Kujdestaria e Spears ndahet në dy pjesë – njëra është për pronat e saj dhe çështjet financiare, tjetra është për të si person.
Babai i saj dha dorëheqjen si kujdestar personal i vajzës së tij në vitin 2019 për shkak të çështjeve shëndetësore, por këngëtarja paraqiti një peticion në korrik për të hequr babanë e saj nga kontrolli i pasurisë. Ajo më vonë tha se nuk do të performonte përsëri derisa ai të ishte në atë rol.