1 dhjetor 2015 – Detaje të tjera të rënda janë zbardhur nga ngjarja tragjike që u shënua në një familje në Pojan të Korçës mbrëmjen e djeshme, ku një baba plagosi me armë zjarri djalin e tij 15-vjeçar.

Sipas policisë, objektivi i autorit të ngjarjes nuk ka qenë i biri, por bashkëshortja e tij. Djali ka ndërhyrë për të shpëtuar të ëmën dhe përfundoi vetë duke u plagosur.

Ngjarja

Romi Nako, 47 vjeç, në gjendje të dehur, ka tentuar të qëllojë bashkëshorten E.N, 43 vjeçe, por në këtë moment i ka dalë përpara djali, të cilin e ka qëlluar me plumb në këmbë, duke e lënë të plagosur rëndë.

I mituri fillimisht ka marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Korçës, por pas rëndimit të gjendjes shëndetësore është dërguar për në Spitalin e Traumës në Tiranë, për mjekim më të specializuar.

Policia sekuestroi automatikun model 56, me 29 fishekë, 4 krehër që u gjetën gjatë kontrollit të banesës dhe një gëzhojë.

Ndaj Romi Nakos rëndojnë 3 akuza “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare mbetur në tentative”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

/S.L. portali DurresLajm/