Kryeministri Edi Rama në një konferencë me gazetarët shqiptarë në Berlin, është pyetur për vendimin e DASH që ka shpallur “non grata” ish-deputetin e PS-së Aqif Rakipi, djali i të cilit është sot në Parlament i zgjedhur kandidat nën siglën e PS-së.

I pyetur nëse ndihet se ka marrë vendimin e duhur për të zgjedhur kandidat për deputet djalin e Aqif Rakipit që sot është non grata, Rama nuk preferoi të komentonte.

Pyetje: Zgjodhët një kandidat që sot është deputet pa ndonjë kontribut në parti babai i të cilit është shpallur “non grata”, a ndiheni se keni marrë vendimin e duhur?

Rama: Të vijmë deri në Berlin për të folur për kandidatët e PS në Tiranë më duket pak e sforcuar, kështu që kalojmë në pyetjen tjetër.

Të hënën, SHBA vendosi sanksione për ish-deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi dhe biznesmenin Ylli Ndroqi, pronar mediash. Vendimi i Zyrës së Departamentit të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja e përfshin Rakipin dhe Ndroqin në listën totale të 7 personave në Ballkanin Perëndimor që sipas SHBA kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese.