Pas dhunës se ushtruar nga administratorja e kopshtit “Diren” Anjeza Shabani, prindërit e 3-vjeçarit morën përgjigjet e analizave të mjekësisë ligjore dhe të neurologjisë, të cilët vërtetuan atë që burrë e grua fatkeqësisht e dinin: djali ka pësuar trauma dhe çdo shenjë në trupin e tij, është falë dhunës së ushtruar sistematikisht.
Babai, i kurorëzuar si hero për aktin e tij të denoncimit dhe sensibilizimit, ndihet i pafuqishëm dhe i dëshpëruar. Nuk ka kohë t’i gëzohet as arrestimit dhe dënimit të pashmangshëm me burg të Anjeza Shabanit, sepse atij i duhet t’i japë një zgjidhje të birit.
“Do të bëja gjithçka për tim bir. Do të jepja edhe jetën”,- rrëfen ai për Anabel.al. Vogëlushi, për të cilin Shabani deklaroi se ishte autik, në fakt ka lindur me një problem në të folur, por me shumë shpresa për t’u riparuar.
“Kam shkuar kudo për atë djalë, në Itali, në Gjermani, çfarë kam fituar, çfarë kam, e kam shpenzuar për kurimin e tij”, tregon babai, i cili prej një muaji ka ngelur i papunë, në pamundësi për të ndjekur njëherësh edhe investigimin në kopësht, edhe detyrimet në kompaninë ku ishte punësuar.
Pas diagnostikimit, prindërit vendosën që fëmija i tyre i vetëm të trajtohej nga një terapist. Nuk pyetën për shpenzimet edhe pse pagesës mujore të terapisë, do t’i shtoheshin pagesa e kopshtit dhe e transportit. Atëherë, të dy të punësuar me rroga mesatare, do të shpenzonin gati 1 milionë lekë të vjetra në muaj vetëm për vogëlushin.
“Nuk i kam llogaritur kurrë dhe as do t’i llogarisja lekët. Kemi shpenzuar, sepse ai është drita e syve tanë dhe ajo çfarë unë dhe gruaja ime duam, është vetëm që ai të jetë si gjithë fëmijët e tjerë”, tregon ai.
Të ndodhur tashmë para një situatë që prindërit e 3-vjeçarit nuk do donin ta kishin provuar kurrë, babai i djalit apelon për ndihmë nga institucionet, që i biri të marrë trajtim të spacializuar.
“Unë e di që im bir ka nevojë për trajtime të specializuara që kanë kosto. Por nuk kam lypur dhe as do të lyp ndonjëherë. Do të shisja edhe shtëpinë për tim bir, çdo gjë që kam fituar, I kam harxhuar vetëm për të. Thjesht, o të doja pak më shumë vëmendje nga institucionet, një mbështetje sado të vogël për terapinë. Sepse tashmë nuk është thjesht çështje të folure. Tani ai duhet të tratohet edhe për këtë traumë të jashtëzakonshme. Dhe të mos harrojmë që është vetëm 3-vjeç”,- përfundon ai.





