LIBRAZHD – Selman Peci nuk e dëshiron fëmijën që bart në bark vajza e tij, Florija. Jo se është kundër lindjes, por i druhet shëndetit mendor dhe fizik të së bijës.
“Ajo nuk është në gjendje të kujdeset për veten e saj. Nuk kupton asgjë çfarë i ndodh dhe çfarë i thua, si mund të rrisë Florija një fëmijë?”, pyet Selman Peci dhe po vetë përgjigjet: “Ajo e ka të ardhmen përpara, vetëm të shërohet. Nuk është koha e saj për të pasur fëmijë, se aktualisht është shndërruar vetë në një fëmijë që ka nevojë për kujdes”.
Gruaja e Selmanit, Nazja, del jashtë duke dënesur nën vete kur dëgjon të shoqin të flasë për Florijen. “Nuk e përballoj dot. Aksidenti ishte aksident, por përdhunimi i vajzës sime në atë gjendje është krim makabër”, thotë nëna e Florijes, duke mbyllur derën dhe duke ikur kushedi se ku.
Ajo nuk u kthye në shtëpi përgjatë disa orëve, sa kohë qëndruam në fshat, në Katjel të Librazhdit. Selmani dhe Nazja kanë 5 fëmijë, 4 vajza dhe një djalë. Që të gjithë të papunë dhe deri në maj 2012, kur ndodhi aksidenti i Florijes, jetonin me pensionin e kooperativës së prindërve dhe paratë e emigracionit të djalit, Gazmendit, nga Greqia. Kanë pak tokë, por ajo nuk prodhon aq shumë. Edhe kur prodhon, produktet mbeten pa shitur. Dy vajzat e mëdha dhe djalin i kanë të martuar e me fëmijë, ndërsa Florija dhe më e vogla, Erida, kishin vendosur të ndiqnin universitetin, por që të dyja e lanë në mes. Pas aksidentit, Florija mbeti pa dhënë provimet e fundit të diplomës, ndërsa Erida as nuk e nisi dot ngaqë shkoi në Austri, për t’i qëndruar pranë të motrës. Ashtu siç po i qëndron edhe prej 15 janarit 2013 në Maternitetin e Tiranës, kur u zbulua shtatzënia e Florijes. Edhe vëllai, Gazmendi shumicën e kohës qëndron në Tiranë. Atje, në shtëpinë në Katjel kanë mbetur vetëm prindërit e Florijes dhe nusja e shtëpisë, Albana me fëmijën 1 vjeç. Vogëlushi diçka trazon dhe derdh ujë nëpër tapet, por gjyshi Selman nuk zemërohet. E merr në krahë fëmijën e djalit, ndërsa një tjetër fëmijë nuk e dëshiron; atë të Florijes.
Dëshironi që Florija ta mbajë fëmijën, apo ta abortojë?
Për të mirën e saj duhet ta abortojë. Mjekët madje nuk duhet ta zvarrisin më operacionin. Florija nuk është në gjendje të kujdeset për veten e saj. Nuk kupton asgjë çfarë i ndodh dhe çfarë i thua, si mund të rrisë Florija një fëmijë?! Doktorët e kanë vënë re që Florija nuk është mirë mendërisht dhe as fizikisht, çfarë presin? Që të më vdesë edhe vajza? Nuk kam asgjë kundër fëmijëve, i dua shumë dhe unë e di sa dëshiroj që edhe Florija një ditë të ketë fëmijët e saj, familjen e saj, por aktualisht ajo nuk është në gjendje.
Në këtë lloj gjendjeje shëndetësore ishte qëkur u kthye në Shqipëri?
Qëkur u kthye Florija kishte ndërruar komplet. Ishte tretur e dobësuar. Erdhi në karrige me rrota. Pak nga pak lëvizte këmbët, por mezi hidhte hapat. Si fëmijë. Kur e pyesje për diçka, nuk mbante mend gjë. Ose përsëriste 3-4 herë të njëjtën fjali. Madje as aksidentin nuk e kujtonte, pak gjëra mbante mend. Vetëm universitetin e kishte me merak, donte që të kthehej. E përmendte shpesh, por edhe e harronte shpejt. Florija nuk kishte asnjë lidhje me Florijen e para aksidentit.
A keni ju si familje dyshimet tuaja mbi abuzuesit?
Unë dyshoj te personeli i klinikës. Përdhunuesi i vajzës sime ndodhet në atë klinikë. Policia dhe Prokuroria te bashkëpunojnë dhe të gjejnë autorin. Eshtë krim, krim. Nuk di çfarë lloj mostre është ai person që ka bërë këtë veprim të tmerrshëm.
Florija ka ndenjur edhe te disa familje kosovare. A nuk dyshoni edhe te meshkujt e këtyre familjeve?
Jam i bindur që jo. Ata na janë ofruar me shumë dashamirësi, na kanë ndihmuar, na kanë telefonuar dhe na e kanë nxjerrë vajzën në kamera në internet për ta parë. Edhe financiarisht na kanë ndihmuar shumë. Jam i sigurt që miqtë kosovarë nuk kanë të bëjnë me këtë histori makabre.
A mund të na thoni kush janë këto familje?
Absolutisht jo. Nuk dua të përgojohen emrat emrat e atyre familjeve të nderuara. A e dini ju që njëri nga këta persona na kanë ardhur edhe për vizitë në shtëpi? Në gusht kanë qenë në shtëpinë tonë këtu dhe kanë pirë kafe me ne.





