17gusht 2015 – Hiqmet Kajtazi, babai i dy motrave të arratisura për 1 muaj pasi vodhën dhe dogjën shtëpinë, kërkoi ndihmë nga policia e Durrësit. Sipas tij, videot që u transmetuan në youtube nga të bijat, Orialda dhe Klevisa Kajtazi, kanë sjellë reagime negative tek të afërmit.

Në video vajzat tregojnë raste që sipas tyre, prindërit kanë përgojuar dhe fyer anëtarë të ndryshëm të fisit, duke filluar nga tezja, daja, gjyshja e kushërinjtë. “Më kanë kërcënuar në telefon dhe përballë. Jam munduar t’i bind me qetësi se vajzat kanë trilluar. As unë e as gruaja nuk kemi folur keq për njerëzit tanë. Por, nuk kanë faj, se kanë dëgjuar fjalët e vajzave. Edhe pse ato i kanë sajuar nga inati, nuk po arrij t’ua mbush mendjen se gjithçka është e rreme”, tha Kajtazi, banor i lagjes Spitallë.

Një prej tyre është daja i vajzave, nusja e të cilit sipas motrave Kajtazi ishte fyer rëndë nga prindërit, (dëgjoni videon më poshtë). Ai tha sot për “Panoramën” se nuk është përzier me historinë e familjes Kajtazi, ndërsa thekson se për të shoqen nuk pranon që ta gjykojë askush.

Nga ana e policisë ende nuk ka një reagim zyrtar për këtë kërkesë që Hiqmet Kajtazi e bëri publikisht. Ditën e sotme, dy motrat dolën me lot para trupit gjykues, ku u vendos që e madhja, Orialda të jetë në burg deri në fund të hetimeve, ndërsa motra e vogël të kthehet në shtëpi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/