Piktura për të është imazh real. Edhe pse ka realizuar portrete personazhesh të shumtë, atë të të atit ende nuk ka guxuar. Por, uniformën e policisë e ka jetësuar, në nder të të rënëve në krye të detyrës.

Dritona Lata ishte vetëm 10 vjeçe, kur babai i saj ndërroi jetë.

“Aksidenti ka ndodhur në një kohë që ata kanë mbaruar një mbledhje të punës. Ka qenë bashkë me një koleg tjetër. Të dy kanë ndërruar jetë fatkeqësisht. Kanë qenë në ndjekje të një makine dhe nga moti i keq, makina ka dalë jashtë kontrollit dhe të dy humbën jetën.

E kujtoj si një nga ditët më të keqe të jetës tonë sepse ka qenë një mbështjetje, ka qenë një humbje shumë e madhe për ne. E kam menduar jetën më gjatë me të, ta kisha në sukseset e mia, në arritjet e mia”.

Ëndrra e këputur në mes e Petrit Latës vazhdon të marrë jetë nga e bija.

“Kam vazhduar ëndrrën time dhe një mision të lënë përgjysmë nga babai im i ndjerë. Ëndrra që po ndjek dua që ta bëjë krenar babain tim.

Veshja e policisë më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë, por në fakt më ka pëlqyer më shumë babai im i cili e ka bërë punën me pasion. E shihja shumë të angazhuar pas punës dhe unë gjithmonë kam dashur të bëhesha si ai”.

Çdo fundvit, për 21 vjeçaren është i mbushur me emocione e kujtime. Mbrëmja e 13 dhjetorit të vitit 2011 ishte dita më e errët për Dritonën e familjen e saj./Abcnews.al