Babai i 15-vjeçares së abuzuar seksualisht nga të paktën 5 persona në Tarazh të Mirditës, ka folur sot për mediat.
Në një intervistë për emisionin “Me Zemër të Hapur” në “News 24” ai i ka kërkuar shtetit që të marrë masa për 3 personat e proceduar në gjendje të lirë, pasi u zbuluan se kishin pasur biseda me të miturën.
Babai thotë se këtyre të fundit nuk u ka premtuar koha për të kryer abuzimin jo se kanë hequr dorë për burrëri.
Sa i takon shkollës ku është nxënëse vajza e abuzuar, babai shprehet: “Duan të fshihen. Nuk mbajnë përgjegjësi fare. Ka pasur psikologe por a ka kryer punë nuk di gjë. Vajza nuk i është drejtuar kurrë psikologes.”
I pyetur nëse është kërkuar ndërmjetësim nga babai i njërit prej abuzuesve, Artan Kaçorrit, i ati i vajzës së abuzuar tha se: “Nuk ka kërkuar ndërmjetësim. Nuk ka mundësi të vijë. I kërkojnë ndihmë shtetit të marrë masa, të m’i largojë këta 3 djemtë, të mos i shikoj më në fshat. Të mos bej ndonjë gjë të pabërë.”
“S’u ka premtuar koha. Nuk e kanë lënë për burrëni. Të marrë masa shteti, të mos bëjë ndonjë gjë tjetër”, tha ai.
Pak ditë më parë gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg pa afat për shtetasit Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi dhe Nikë Lleshi, ndërsa për 17-vjeçarin me iniciale A.Gj. u vendos masa e sigurisë “arrest me burg” me afat 30 ditë.
Në seancën me dyer të mbyllura 5 personat e dyshuar e kanë mohuar akuzën e ngritur ndaj tyre, duke deklaruar se nuk kanë abuzuar me të miturën.
Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nikë Lleshi dhe shtetasi me iniciale A.Gj u arrestuan të martën nga Policia, pas denoncimit të një vajze 15- vjeçare, e cila pretendon se përmes shantazhit është përdhunuar nga këta 5 persona. Lidhur me ngjarjen e rëndë po hetohen edhe tre persona të cilat janë zbuluar se kanë pasur biseda telefonike me 15-vjeçaren.