SHBA, 07 mars 2013 – Është një nga njerëzit me më shumë tatuazhe e piercing, por gjithashtu ai shihet edhe si një nga meshkujt më të frikshëm. Kjo për shkak të pamjes të tij të jashtme, të transformuar tërësisht nga moria e tatuazheve dhe piercing-ve.

Marcus Boykin, 29 vjeç, është një artist tatuazhesh dhe shton çdo ditë në trupin e tij nga një tatuazh të ri duke u përpjekur të jetë sa më i veçantë, por duhet të përballet edhe me disa situata jo shumë të këndshme. Ai thotë pë Daily Mail se tatuazhet rrëfejnë jetën e tij, dhe përsa kohë do të vazhdojë të jetojë, do të vazhdojë të bëjë tatuazhe, sepse me anë të tyre tregon histori që i ndodhin.

“Njerëzit, kryesisht fëmijët, frikësohen sapo më shohin. Kam një vajzë 5 vjeç që quhet Mia. Ajo tmerrohet nga unë. Në vitet e para trupi im nuk ka qenë kështu, por më pas me gjithë këto ndryshime, vajza e ka të vështirë të më afrohet”,- shprehet artisti që jeton në Kaliforni.

Ndërkohë ai shton, se djali 2-vjeç nuk ka të njëjtin qëndrim. “Ai nuk trembet, ai më dashuron mua”,- thotë Boykin. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/