Policia e Dibrës ka zbardhur të tjera detaje rreth ngjarjes që tronditi opinionin publik ditën e djeshme.

Sipas policisë, në dëshminë e tij para hetuesve 46 vjeçari Guri Përgjegji, i akuzuar për përdhunimin e të bijës, e ka mohuar akuzën.

Sipas tij, vajza dhe njerka kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën për ta burgosur atë.

Policisë së Dibrës ju deshën rreth 12 orë kërkime derisa arritën të zbulonin vendndodhjen e babait monstër.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër është në pritje të ekspertizës mjekoligjore për të faktuar krimin e kryer nga Guri Përgjegji.

Ndërkohë vajza në dëshminë e saj ka rrëfyer:

“Paradite isha me babanë në Peshkopi. Kishim dalë për të blerë ushqime e mallra të tjera për shtëpinë tone. Zakonisht, furgoni ndalon në rrugën që lidh Kastriotin me fshatin tonë. Babai i tha shoferit ta ndalonte mjetin diku tjetër, në një vend ku ne nuk ndalonim asnjëherë. Sapo zbritëm, i thashë babait se na ke ndaluar keq. Ai tha ec se e di unë këtë punë. Sapo u futëm në pyll babai me futi duart në fyt, më rrëzoi përtokë, më hoqi rrobat dhe më përdhunoi. Bërtita sa fuqi kisha, por nuk më dëgjoi njeri”,janë fjalët prekëse të vajzës së përdhunuar nga babai i saj.

Vajza i tha grupit hetimor, në prani të psikologes dhe prokurorit të çështjes, se ishte e disata herë që babai e ngacmonte seksualisht, duke e prekur në vende intime dhe se e fyente rëndë, madje dhe në prani të personave të tjerë.

Ajo thotë se tetë vjet më parë mbeti jetime, pasi nëna e saj biologjike ndërroi jetë në një aksident automobilistik. E. Përgjegji është marrë në mbrojtje që në fillim nga xhaxhai i saj dhe njerka, e cila ka bashkëpunuar me Policinë dhe ka treguar episode të tjera të ngacmimeve seksuale të babait monstër.

Ajo i tha Policisë se duhet të merrnin rrobat që ajo kishte veshur ditën e ngjarjes, duke argumentuar se ato do të faktojnë përdhunimin e saj.