FIER-Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në Mbrostar të Fierit ku babai për pak i ka marrë jetën djalit të tij, 30-vjeçar. 

Ngjarja ka ndodhur sot pasdite në familjen e Abaz Meta. Policia bëri të ditur për News24 se pas një grindjeje në familje, Abaz Meta, 65 vjeç ka rrëmbyer çiften dhe ka plagosur djalin e tij, Shyqyri Meta, 30 vjeç.

Djali është dërguar menjëherë në spitalin e Fierit ku mjekët po luftojnë ta nxjerrin nga gjendja e rëndë. 

Por ngjarjet në familjen Meta nuk ndalen këtu. Babai, autor i ngjarjes pas krimit duke pandehur se djali ka vdekur, piu bar miu. 65-vjeçari është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e Fierit. 

Policia po heton ngjarjen e rëndë duke mbledhur dëshmi të familjarëve që ishin të pranishëm në çastet e grindjes. 

Mësohet se mes djalit dhe babait ka pasur probleme dhe më parë.