TIRANE,5 shtator 2013 – Plaurendi nuk kishte konflikte me askënd. Nuk i ka pasur askujt borxhe dhe lëvizte i lirë. Paratë për ndërtimet i ka nxjerrë nga puna në emigracion, pasi ka ikur që i vogël". Kështu ka deklaruar, ndërsa është marrë në pyetje nga blutë e Durrësit, Bajram Cani, babai i 40-vjeçarit Plaurend Cani, i ekzekutuar me 4 plumba, paraditen e 2 shtatorit në Durrës. Në familjen e biznesmenit Cani, ka rënë zia. Babai Bajrami, nëna, bashkëshortja me tre fëmijët e mitur, ashtu si në agoni presin ngushëllimet e të afërmve, miqve e shokëve, që vijnë papushim në çdo orë të ditës. Të flasësh për ngjarjen me ta është e pamundur. Djali i tyre i vetëm, drita e syve, tashmë është nën dhe. I vetmi ngushëllim për ta janë tre fëmijët e mitur të Plaurendit. Ndërsa është marrë në pyetje nga grupi hetimor, edhe pse në kushtet e një tronditjeje të rëndë, Bajram Cani, babai i 40-vjeçarit nuk ka pranuar për asnjë moment që djali i tij të ketë qenë i përfshirë në trafiqe të paligjshme. Ndërkohë, në të njëjtën linjë ka qenë edhe dëshmia e nënës dhe bashkëshortes së viktimës. Mësohet se policia e Durrësit, ka marrë në pyetje edhe shoferin e Canit, duke qenë se ai është personi i fundit që e ka parë gjallë, por sërish nuk ka nxjerrë gjë në dritë.
BABAI I PLAUREND CANIT
Duket se të afërmit e 40- vjeçarit nuk kanë pasur dijeni për të kaluarën e djalit të tyre, pasi babai i tij, megjithëse është pyetur për qëndrimin e djalit në Itali, ka deklaruar se ai nuk ka qenë në burg. "Plaurendi ishte biznesmen i fuqishëm, i dashur dhe i ndihmonte të tjerët. Nuk kishte asnjë konflikt me asnjë në Durrës. Nuk e dimë pse e kanë vrarë, ne duam që të gjendet kush është autori. Që kur ka mbërritur nga emigracioni, është marrë me punë. Në Durrës, ai shëtiste i lirë, ka punuar dhe nuk i ka pasur askujt borxh. Paratë për ndërtimet i ka nxjerrë me punë në emigracion, sepse ka ikur që i vogël. Ai ka punuar në emigracion për shumë vite. Edhe në burg nuk ka qëndruar. Ne kemi folur me të në celular, gjatë gjithë kohës që ka qenë në Itali. Nuk e di që djali të jetë përfshirë në ato gjëra të pista", – ka thënë në polici babai i 40-vjeçarit, Bajram Cani. Hetuesit janë të bindur se i ati nuk tregon gjithçka që di, ose vërtet djali i tij nuk ka treguar në familje, për t'i mbajtur jashtë telasheve të tij familjarët.
HETIMI
Në pyetje për vrasjen e biznesmenit 40-vjeçar janë marrë një numër i konsiderueshëm personash. Mësohet se janë marrë për të dëshmuar edhe persona, shokë, të njohur, që janë kthyer nga Italia dhe kanë dijeni për aktivitetin e tij. Nga policia mësohet se shoferi i tij, nuk ka dhënë asnjë dritë jeshile për hetimin. Sipas policisë, shoferi i viktimës ka qenë i punësuar me rrogë dhe nuk ka pasur asnjë lidhje shoqërore apo familjare me punëdhënësin. Oficerë të policisë gjyqësore dhe ekspertët kriminalistë kanë sekuestruar sendet personale të Canit, telefonat celularë, të cilët do të shërbejnë për hetimin. Pista e vetme e motivit të vrasjes është ajo e hakmarrjes për shkak të trafikut të drogës, aktivitet i cili është ushtruar prej viktimës në shtetin italian.
/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb/
Babai: Plaurendi nuk kishte konflikte, s’ka bërë burg në Itali
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Homazhe për Ismet Bellovën, komentatori sportiv përcillet për në banesën e fundit
Deputeti i PD, Igli Cara thirrje qytetarëve: Pjesëmarrja në protestë, domosdoshmëri!
Protesta e opozitës para Kryeministrisë, ja rrugët ku kufizohet qarkullimi
Qentë endacakë kafshojnë të miturin në Durrës





