E përditshmja britanike “Daily Express” ka publikuar një intervistë me një baba shqiptar, i cili me zemër të thyer përshkruan ankthin që ndjen pasi djali i tij la diplomën e universitetit për të shkuar e për të punuar në një fermë droge në Mbretërinë e Bashkuar. 

Gazeta britanike ka vendosur ta quajë babain shqiptar të intervistuar “Eduard” për të mos zbuluar identitetin e tij të vërtetë. 

Në rrëfimin e tij ai tregon se fillimisht, i biri e gënjeu sa i takon asaj që do të bënte në Britani. 

“Do punoj ndoshta në një restorant sepse di Anglisht”, i tha ai të atit, “e pastaj të shohim si shkon”. 

Ishte një vendim i rëndësishëm. I biri po hiqte dorë nga universiteti në Shqipëri, kur i kishte mbetur vetëm një vit për të përfunduar nga dega e Ekonomikut. 

“Im bir nuk fliste kurrë për gjëra të tilla, nuk ishte në qëllimet e tij. Vetëm kur papritur një ditë tha se donte të largohej”, shpjegon i ati në një intervistë ekskluzive për britaniken Express. 

Një moment që kishte mbërritur në Francë, i riu rrëfeu të vërtetën; po kalonte Kanalin me varkë të vogël për të punuar në një fermë kanabisi në Angli. 

“Kur e zbulova ishte tepër vonë, më ra tavani mbi kokë”, tregon Eduardi duke ulur kokën, e me sytë më lot. 

“Më tha se i duhej puna për të bërë para. Më tha se nëse e mbaron universitetin këtu nuk përbën ndryshim, pasi mund të punosh vetëm si kamarier”. 

“Në Shqipëri nëse do të gjesh një punë të mirë, të duhen njohje, ose duhet të paguash para për të kapur vendin e punës. Kështu funksionojnë gjërat për shkak të korrupsionit”, thotë Eduardi. 

Ndonëse i dinte vështirësitë, kjo nuk e bëri më të lehtë që të pranonte vendimin e të birit 

“Trembem sa herë dëgjoj një histori nga Londra, vetëm aty më rri mendja”, vijon ai, teksa rrëfen disa prej historive që ka dëgjuar.