Pas publikimit të analizave të audio-përgjimit të “Babales”, ku implikohej vëllai i ministrit të Brendshëm, Geron Xhafaj, dhe sipas laboratorit anglez rezultoi se gjithçka është e montuar, ka ardhur menjëherë më pas dhe reagimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, kryeopozitari tha se me prokurorinë Rama-Marku, Xhafa-Prela, nuk mund të pritej rezultat tjetër. Ai theksoi se vëllai i ministrit u largua me urgjencë drejt Italisë, për të shmangur përballjen me hetimet, ndërsa tha se “Edi Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor”.
Postimi i plotë i Lulzim Bashës:
Kush priste diçka tjetër nga prokuroria Rama-Marku-Xhafa-Prela, është vetëm naiv. Agron Xhafaj që i fshihej prej 5 vitesh drejtësisë me ndihmën e vëllait, u largua me urgjencë drejt Italisë, që të mos përballej me hetimin dhe akuzat që prokuroria e kapur i quan sot montim.
Sot çdo shqiptar e kupton më qartë se kurrë pse Edi Ramës i duhej prokuroria nën komandën e tij. Me aktin e sotëm, Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor. Tani nuk ka mbetur rrugë tjetër për të vënë banditët para përgjegjësisë, përveç rrëzimit me çdo mjet të mafias në pushtet.





