Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Salianji u fut me një CD në dorë në ambientet e prokurorisë ku do të merret në pyetje nga grupi i hetimit për audio-përgjimin e publikuar nga PD disa muaj më parë në lidhje me vëllanë e ministrit të Brendshëm.

Fletë-thirrja nga organi i akuzës iu drejtua të enjten deputetit dhe vjen pas mbërritjes së ekspertizës për audio-përgjimin, ku dyshohet se është i përfshirë vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj.

Pak ditë më parë nga laboratori anglez ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme përgjigjia e audio përgjimit, i cili ka rezultuar se nuk mund të konfirmohet si material autentik.

Sipas ekspertëve, materiali që është dorëzuar nuk është origjinali dhe kjo e ka bërë të vështirë identifikimin e zërit, i cili nuk konfirmohet që të ketë përputhje me atë të Agron Xhafajt.

Gjithashtu prokuroria ka marrë edhe përgjigjet e qelizave celulare që kanë hedhur dritë mbi vendndodhjen e personave të përfshirë në audiopërgjim. Mësohet se nga prokuroria do të kërkohet edhe kthimi në Shqipëri i Albert Veliut, personi i njohur si "Babalja", i cili ka bërë edhe përgjimin.