Pasi paralajmëroi një ditë më parë se do t’i kushtonte disa fjalë ‘lloto opozitës’ lidhur me akuzat e saj për ligjin për ‘Lojërat e fatit’, këtë të enjte nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama nuk i kurseu batutat në drejtim të drejtuesve të partive opozitare, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.

Kreu i qeverisë tha mes ironisë se opozita donte të hiqte vëmendjen nga ‘telenovela Babalja’, ndërsa shtoi se u krijua versioni ‘Luli dhe Mona’.

“Më e bukura nga të gjitha që kam dëgjuar në këto ditë ka qenë një shprehje; e bën Edi Rama këtë për të tërhequr vëmendje. Pra gjithë kjo luftë frontale që bëhet për të goditur këtë luftë kriminale, bashkë me goditjen e grupeve të krimit të organizuar, bashkë me fillimin e nxirjen e jetës së të fortëve, janë të gjitha për të tërhequr vëmendje. Po nga duam të tërheqim vëmendjen? Nga telenovela ‘Babalja’. S’po e tërheqin më interesin spektatorët. Nga një personazh tjetër, nga Ezeli, apo Izaura, në versionin; Luli dhe Mona’. S’janë ndonjë gjë e madhe. Janë dhe këta analistët me gjyslyke që shohin lart dhe syzet i ikin poshtë. Meqë krimi lulëzoi në kohën time dhe Braçes, le që Erioni ka pasur shumë kohë. Më thoni një emër të kësaj serisë ‘narko-babale’ që u bë i famshëm në botën e paligjshmërisë me ardhjen në qeveri të PS-së. Eh? Këta kanë vite të tëra që janë strukturuar”, tha Rama.