Është zhvilluar këtë të martë në Gjykatën e Apelit seanca gjyqësore ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji lidhur me çështjen “Babale”. Vetë deputeti Salianji ka qenë i pranishëm në seancë.
Në një prononcim për mediat para dyerve të gjykatës Salianji u shpreh se ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri.
Deputeti theksoi se ka kërkuar përjashtimin e Petrit pasi sipas tij, gjyqtarja ka shprehur anshmëri politike.
“Akt ekspertimi që është bërë në Britaninë e madhe përcakton qartë që zëri është zëvendësuar. Unë jam sot para gjykatës vetëm për shkak të denoncimeve që kam bërë ndaj qeverisë. Në vend që para drejtësisë të shkojnë trafikantë, jemi ne që denoncojmë në emër të opozitës. Nuk është se është shtyrë ndonjëherë për mungesë tonën. Sot bëra një kërkesë për përjashtim të gjyqtares. Ka shprehur anshmëri politike”, tha ai.
Më tej deputeti demokrat theksoi: “Nuk duhet ta kishte marrë fare çështjen dhe jo të përshpejtonte. Nëse do kisha zgjedhur të isha avokat, do merresha me këtë punë. Kam zgjedhur të jem politikan, duke mbrojtur interesat e qytetarëve. Ai ishte i dënuar me 7 vite dhe jetonte i lirë në Shqipëri. Po a ka pandashmëri nga politika dhe drejtësia? Këtë detyrë kam. Nuk kam shqetësim nëse qëndron apo jo gjyqtarja. Kam zgjedhur të luftoj për interesat e publikut, sikur hyja në parcelat me kanabis dhe i denoncoja. Do vazhdoj betejën time për të mbrojtur ata që më kanë votuar. Kështu do jem për një kohë të gjatë”.