Xhevahir Kapllani ishte vetëm 19 vjeç kur festonte me Teutën titullin kampion në vitin 1994.
Vetëm gjashtë ditë më parë ish-portieri durrsak ndoqi me shumë emocione nga tribuna e stadiumit “Niko Dovana” ndeshjen ndaj Apolonisë, ku “djemtë e detit” u zyrtarizuan për herë të dytë kampionë.
Këtë herë në stolin e Teutës ishte Dejvid Kapllani, i biri i Xhevahirit, dhe si për koincidencë, edhe ai e shijoi titullin 19 vjeç. Trajneri aktual i Teutës U-19 tregon atë që ka përjetuar në dy kohë me ekipin e zemrës.
Xhevahir, keni qenë pjesë e titullit të parë si futbollist dhe tani në një tjetër pozicion. Na tregoni pak ku ndryshojnë emocionet nga 1994 në 2021?
Po flasim për dy kohë të ndryshme. Në kohën time shumica e futbollistëve ishin autoktonë vendës, ku pasioni dhe fanella vlente mbi gjithçka. Tifozëria atëherë ka qenë e pakrahasueshme sepse i gjithë qyteti jetonte me futbollin, madje kur luanim jashtë qytetit na ndiqnin mbi 5-6 mijë veta. Kurse titulli tani ka një tjetër emocion pasi e kam përjetuar si tifoz, si trajner i akademisë, si prind dhe mbi të gjitha si një ish-futbollist kampion. U shpërblye puna e palodhur e gjithë këtyre viteve e presidentit Hasanbelliu pasi ai e meriton më shumë se të gjithë këtë trofe duke qenë presidenti më i vjetër ne Superligë. Një falënderim i veçantë për këtë titull shkon për presidentin. Në ndeshjen e fundit ishte një atmosferë elektrizuese dhe aty u vërtetua se sa i mungonte ky trofe këtij qyteti.
A ka ky grup lojtarësh ndonjë gjë të përbashkët me ekipin kampion të brezit tuaj?
Ka ndryshme mes brezave pasi, siç e thashë pak më lart, brezi im ka qenë pothuajse vendës dhe kemi qenë shumë miq si në fushë ashtu dhe jashtë fushe dhe ky ka qenë çelësi i suksesit dhe trajnerët i konsideronim si prindër. E përbashkëta me skuadrën e sotme është grinta, lufta dhe besimi për të fituar ndeshjen deri në minutën e fundit.
Si ju është dukur Teuta këtë sezon?
Teuta më është dukur një ekip që ka qenë gjithmonë konstant dhe i ekuilibruar. Skuadër që me skuadrat e vogla i ka vrarë ndeshjet, gjë që ekipet e tjera pretendente nuk e kane bërë, jo me kot thuhet që kampionati fitohet me skuadrat e vogla, plus me skuadrat e kreut është munduar gjithmonë të marrë maksimumin. Titulli, më se i merituar.
Ka fituar titullin edhe me 15 barazime. Si e komentoni këtë?
Kampionati i tillë ka qenë, shumë i ekuilibruar dhe ka qenë një garë e jashtëzakonshme deri në “finish”. Teuta ka zhvilluar shumë ndeshje të mira me një lojë cilësore, por ka përfunduar në barazime. Këtu sigurisht rol kryesor luan edhe fati, por e rëndësishme është që skuadra nuk u dorëzua kurrë dhe pas shumë barazimeve ja arriti qëllimit. Të mos harrojmë që kemi marrë shumë fitore jashtë fushe gjë që tregon forcën e skuadrës.
Çfarë ju ka pëlqyer dhe çfarë nuk ju ka pëlqyer te kjo skuadër?
Ekipi fitues nuk gjykohet, por për mendimin tim, ngelet për t’u përmirësuar manovra sulmuese dhe zotërimi i topit. Ajo që më ka pëlqyer, siç e theksova dhe më lart, është grinta, lufta dhe besimi që ka pasur kjo skuadër deri në fund duke mos u dorëzuar kurrë.
Çfarë i duhet ekipit nga merkatoja në syrin tuaj?
Kryesorja është të ruajë boshtin e skuadrës sepse një ndër faktorët kryesorë të suksesit është ruajtja e grupit pasi ky grup ka dy vite që punojnë bashkë. Me zërat që kam dëgjuar për Kallakun shpresoj te një rikthim i tij pasi do të ishte një vlerë e shtuar për skuadrën.
Nga Kapllani te Kapllani “Junior”, tradita vazhdon. Sa ju lumturon kjo?
Mendoj se hyn në rastet e rralla në futboll, pasi 19 vjeç kam qenë unë kur kam fituar titullin dhe 19 vjeç është im bir tani i saposhpallur kampion. Një koincidencë e frikshme. Sigurisht, jam shumë i lumtur, është një emocion që nuk mendoja së do ta provoja ndonjëherë. Uroj që ky trofe të jetë një ogur i mirë për të ardhmen e tim biri dhe shpresoj që të vazhdojë të fitojë trofe.
Keni pritur më tepër minuta për djalin tuaj, Dejvidin?
Çdo prind, nëse i bëni këtë pyetje, normalisht që do të thotë “po”, por unë e shoh në tjetër këndvështrim. Patjetër që kam pritur të kishte më shumë minuta pasi duke parë mënyrën se si kane rrjedhur ngjarjet, mundësitë e ndërrimeve dhe rolin e protagonistit që është munduar të bëjë Dejvi për aq minuta sa ka pasur, prisja më shumë, por në fund të fundit skuadra është mbi gjithçka dhe objektivi final u arrit.
Portieri Frashëri ka pësuar më pak gola se të gjithë. Si ju është dukur dhe ku mendoni se duhet të përmirësohet?
Frashëri ka bërë një kampionat të shkëlqyer dhe në shumë momente ka qenë vendimtar për skuadrën. Është një portier me eksperiencë që nga viti në vit ka pasur rritje duke qenë një pikë kyçe për skuadrën. Kam vetëm një këshillë për të dhe normalisht duhet të kishte një ftesë nga Kombëtare pasi e ka merituar plotësisht. Të vazhdojë me të njëjtin ritëm që t’i marrë maksimumin çdo ndeshjeje.
Çfarë prisni nga gara në Ligën e Kampioneve?
Shpresoj te një short sa më i lehtë në turin e parë për të pasur mundësi të kalojmë në turin tjetër, sepse edhe nga ana ekonomike është shumë e rëndësishme.





