Arrestohen në flagrancë babë e bir, si edhe kushëriri i tyre, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive pronësie.

Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Maliq, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve: Refki Bregu, 61 vjeç, Dionis Bregu, 26 vjeç (babë e bir) si edhe Rasim  Bregu, 52 vjeç, (kushëriri i tyre) të tre banues në fshatin Podgorie. 

Arrestimi i tyre u bë pasi, dje këta shtetas, në fshatin Podgorie, për motive pronësie, janë konfliktuar fizikisht me njëri- tjetrin. Për pasojë kanë marrë lëndime trupore (të lehta) Dionis Bregu, si edhe  Rasim Bregu, i cili po merr ndihmën e nevojshme mjekësore në  Spitalin Rajonal të Korçës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm, i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale : "Dhuna në familje", "Plagosje e lehtë me dashje" kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 130/a, 89 dhe 25 të Kodit Penal.