Ish-bomberi i Kombëtares është nën vëzhgimin e skuadrave legjendare të Europës. Bajern Mynih raportohet se është interesuar për Igli Taren. Burimi i këtij lajmi bëhet nga prestigjiozja italiane “La Republica”, e cila bën me dije lëvizjet e fundit në adresë të drejtorit sportiv të Lacios. Nisur edhe nga situata e Salihamixhiç në skuadrën bavareze, atëherë zërat e merkatos për drejtorin shqiptar nuk janë të pabaza.

Teksa në Itali flitet shumë për një interesim të Milanit për drejtorin sportiv të Lacios, Igli Tare duket se ka përfunduar edhe në planet e drejtuesve të lartë të skuadrës së Bajernit. “La Republika”, nën firmën e drejtorit të saj Xhulio Kardone, raporton në një shkrim se bavarezët janë në kërkim të shqiptarit.

Si për ta plotësuar shkrimin, bëhet me dije se personi nga stafi i Lacios që e ka në dyshim të ardhmen e tij, është Anxhelo Peruci, për të cilin do të ketë një takim me presidentin Lotito për të vendosur rinovimin.Megjithatë, i njëjti burim informacioni jep me siguri se pritet që Tare të qëndrojë te bardhekaltrit. Nga sa bëhet me dije, drejtori shqiptar pritet që të qëndrojë sërish në krye të projektit të bardhek altërve, nisur nga lidhjet e forta miqësore dhe profesionale që ka me presidentin Lotito.

Ky i fundit, shpesh e ka treguar me mburrje zgjedhjen e Tares në krye të skuadrës, i cili vit pas viti i ka sjellë Lacios në arka të ardhura të konsiderueshme nga goditje të lojtarëve të ndryshëm. Megjithatë, sapo të përfundojë kjo javë dhe të hapet merkato, duket që emri i Igli Tares do të lakohet shumë, teksa shërbimet e shqiptarit kërkohen nga disa skuadra, brenda dhe jashtë Italisë.

Tare nuk është “mish i huaj” në futbollin gjerman, teksa karriera e tij jashtë vendit ka nisur pikërisht në Gjermani. Tare, në vitin 1994 u transferua në Gjermani si futbollist ku pas dy skuadrave rajonale, u transferua te Karlsruhe, më tej Dyseldorf dhe Kaizerslautern deri në vitin 2001, që iu bashkua Breshas në Itali. Jo vetëm kaq, por emri i Tares nis të lakohet në skuadrën bavareze, teksa situata me drejtorin aktual nuk është idealja.Hasan Salihamixhiç nuk ka më të njëjtën lidhje të palëkundshme me drejtuesit. Duke shprehur herë pas here pakënaqësitë për punën e trajnerit Kovaç, drejtori sportiv nuk ka më të njëjtat pozita.

Ishte ai vetë që e transferoi trajnerin në skuadrën bavareze, por duke qenë se Kovaç ka forcuar pozitat e tij në skuadër, pas kampionatit dhe Kupës, atëherë nuk është e pamundur mundësia e largimit të Salihamixhiç. Jo vetëm për futbollistët shqiptarë, por edhe drejtori kuqezi pritet të bëhet temë e merkatos së transferimeve gjatë verës.