Barazimi pa gola i Bajern Mynih në fushën e Bajer Leverkusen, praktikisht i ka siguruar titullin kampion bavarezëve. Diferenca prej 8 pikësh me ekipin e Çabi Alonsos shtyn të qetë ekipin e Vinsent Kompani në duelet e mbetura të këtij sezoni.

Por trajneri duhet të shqetësohet për mënyrën se si skuadra e tij u zbërthye plotësisht në fazën ofensive nga kundërshtarët, duke regjistruar një rekord të turpshëm historik. Mediat gjermane bëjnë të ditur se që nga viti 1992 kur janë regjistruar si statistika gjuajtjet drejt portës, në më shumë se 1100 ndeshje, skuadra bavareze nuk kishte kaluar asnjëherë një pjesë loje pa asnjë gjuajtje drejt portës.

Por në ndeshjen e sotme, ajo kaloi pjesën e parë dhe shumë minuta në të dytën pa asnjë tentativë të mirëfilltë për të gjuajtur në portën kundërshtare, ndonëse përpara kishte emra si Musiala, Koman, Olise dhe Kejn. Pikërisht anglezi ishte ai i cili në minutën e 73-të bëri tentativën e parë, me topin që shkoi jashtë pa gjetur katërkëndorin e vendasve.

Një ngushëllim i vogël për Çabi Alonson, i cili mund të mburret pasi nuk ka shijuar ende humbjen përballë Bajernit, sepse regjistron 3 fitore e 3 barazime ndaj tij në eksperiencën si trajner i Bajer Leverkusen.