Liga e Kampionëve, 10 prill 2013 – Ndryshe nga e marta, kur u shënuan nga 5 gola për ndeshje, në sfidat e sotme janë shënuar vetëm nga dy gola, edhe pse në fakt në parashikime mund të pritej më shumë, pasi ndesheshin ekipe që shënojnë tradicionalisht.
Por kujdesi i Bajernit të Mynihur më shumë për mos pësuar, apo mungesa e Mesit te Barcelona që nga fillimi i ndeshjes, ndoshta ia kanë zbehur disi spektaklin takimeve. Por në fund nuk ka surpriza.
Bajerni, ashtu siç parashikohej, pas fitores 2-0 në Mynih, është kualifikuar për në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve pa problem, madje duke mposhtur sërish Juventusin.
Ndryshe ka qenë në Barcelonë, teksa katalanasit kanë vuajtur jo pak, pasi në fillim kanë shënuar francezët e PSG-së me anë të Pastores, por në pjesën e dytë ka barazuar Pedro në 1-1. Barcelona është kualifikuar vetëm falë rezultatit 2-2 të arritur një javë më parë në Paris.
Shorti do të hidhet të premten. Të kualifikuar jpër në gjysëmfinale janë ekipet e Realit të Madridit, Barcelonës, Dortmundit dhe Bajernit të Mynihut.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





