Bajerni i Mynihut po kërkon me ngulm të investojë në repartin e mesfushës. Në 24 orët e fundit, emri i Saul Niguez është përmendur në mediat spanjolle si një opsion i mundshëm për t’iu bashkuar Bajernit. Sipas “As”, Saul dëshiron të largohet nga Atletiko e Madridit, këta të fundit i kanë vënë lojtarit një klauzolë 150 milionë euroshe në kontratën e tij.Një shumë që vështirë të paguhet nga ndonjë klub në Europë, duke parë dhe gjendjen e keqe finacniare të skuadrave si pasojë e pandemisë.
Por, Kristian Falk, gazetari që ndjek Bajernin, shkruan se kjo skuadër mund ta joshë lojtarin dhe klubin spanjoll me një ofertë prej 80 milionë eurosh. Kampionët e Gjermanisë shpresojnë shumë te ky transferim dhe besojnë se do të arrihet.Kjo pasi edhe në të shkuarën ata kanë pasur një marrëdhënie të mirë me Atletikon që nga koha kur i pagoi 80 milionë euro për mbrojtësin francez Lukas Hernadez, që u bë lojtari më i shtrenjtë në historinë e klubit gjerman.
Ndërkohë, me ardhjen e Saulit, Bajerni duhet të mendojë edhe për lojtarët në ikje. Korentin Toliso duhet të shitet përpara se Salihamixhiç të mendojë për të sjellë në skuadër blerjen e re. Francezi mund të shitet në Francë te Lion, por edhe në Itali ku klube si Interi dhe Juventus kanë shfaqur interes për lojtarin.





