-Burgija absolut specialisti numër një në Durrës
Nga Bujar Qesja
Çdo mëngjes vjen natyrshëm. Të duken njëlloj, por të veçantën e bëjnë njerëzit. Në mosha dhe profile të ndryshme të punës dhe të jetës, këto mëngjese krijojnë atë origjinalitet, që thyen rutinën dhe përmirëson psikologjinë.
Nuk jam dhe s’kam për të qenë pasionant lokalesh, aq sa emrat nuk ua di. Më kanë mjaftuar turket e mia, në atë kënd të gjelbëruar tashmë të prishur, ku më jepte jetën, frymëzimin, si dhe pozicionin tim të ditës. Jam përshtatur modestisht në këtë jetë, pa zbukurime dhe lule. Thjeshtësinë e kam “blerë” nga njerëzit dhe ia kam vendosur vetes m’u në atë që quhet shpirt.
Nuk kam ecur nëpër seli partish, as kam trokitur në dyer zyrash. Kam parë të tjera dyer, të tjera porta, pasi isha i vendosur të ulesha me të tjera shpirtëra, që thjeshtësinë dhe bilancin financiar, e kanë në natyrshmërinë e jetës së tyre. Njoh shumë në këtë qytet, por edhe më njohin shumë dhe më duhet t’i ndaj mëngjeset, me këta njerëz që përbëjnë shoqërinë e thjeshtë, por shumë aktive durrsake.
Rradhët e mia për jetën e tyre, kanë rritur dëshirat, kanë rritur kërkesat jo për ti rënë gjoksit e për të dalë në opinion, por thjeshtë edhe kjo për të treguar se meritojnë të flitet e të mos harrohen. Teksa lëviz në hapat e para, që e lënë pas derën e poshtme të shtëpisë time, jam në një zonë ku vlon kafja si salepi i dikurshëm. Dhe më ka tërhequr vëmëndjen një dyshe e qetë, një dyshe safi të urtësh durrsakë. Bisedojnë me zë të ulët, qeshin lehtë në mënyrën e tyre dhe me siguri kujtojnë kohë të shkuara, ku u rritën dhe u bënë profesionistë të zot.
I ofrohem dhe i marr leje, të qëndroj disa minuta me to. Kafeja ndryshon kështu format. Brenda saj së bashku me pak sheqer, është hedhur shumë shpirt, shumë zemër, shumë dëshirë. Janë që të tria këto, të prodhura nga këto dy njerëz të thjeshtë, por me emër. Nuk janë zyrtarë. As kanë patur në dorë të të fusin në punë, apo të të japin shtëpi. Ato kanë dhënë shumë, shumë art nga zanati i tyre dhe emrat janë kthyer në emblemë. Durrsakët nuk mburren me zyrtarë, por me thjeshtësinë e zanatçinjve të tyre të përkryer.
Dhe teksa kam qendruar me njerëz të mënçur, me njerëz që në mëngjes mblidhnin bukën e tyre me pak djathë, me një kokërr qepë e me pak vaj, por që shkruanin historinë e punëtorisë së florinjtë durrsake, kam mësuar prej tyre disa cilësi tipike për bashkëqytetarët e mi. Kam mësuar se durrsakët janë shumë punëtorë, zanatali të vërtetë, indiferentë paksa, por me humor dhe batuta plot lëng, apolitikë, të ndershëm, jo grabitës, xhentellmenë e me zemër plot mirësi, të qetë si bunac, të vëmëndshëm që nuk ia hedh hileqari, të ofrojnë gjithçka, por jo në këmbim të nderit dhe të personalitetit.
Dhe kjo dyshe, si një e artë vese në mëngjes të bukur, më ishte gjetja më e mahnitshme në këtë thjeshtësi timen, për të vrojtuar jetën dhe njerëzit. Bajram Burgija, i datëlindjes 1937 dhe Besnik Biduli i 28 dhjetorit 1948. Diferenca e tyre në moshë 11 vite, por në thjeshtësi dhe në cilësi të vlefshme njerëzore tejet të barabartë. Bajrami, djali i një kosovari Malush Burgija, i prirur për biznes dhe i një slloveneje e ardhur në Shqipëri në fund të viteve 30-të, u bë i famshëm me aftësitë e tij të jashtëzakonshme.
Më thonë për të, që nëse në morinë e zanatçijve të njohur durrsakë tenton të krijosh renditje, pa ngurrim Bajram Burgija vendoset i pari. Urtësia e lashtë popullore diku e ka të fiksuar: “I bën dora, çi sheh syri”. Kështu edhe për këtë Burginë tonin. Punoi në Ndërmarrjen e Ndërtimit dhe klasi i lartë i mjeshtërisë së tij, ia ulte kryet edhe një inxhnjeri sado i avancuar të ishte. Ka bërë autobuzë, nga skicimi, mendimi e zbatimi.
Autobuzi i njohur i teatrit “A. Moisiu”, është bërë nga Bajrami. Autobuzi i Xhikes, i klubit sportiv “Lokomotiva”, është prodhimi i Burgisë modest të kafesë së mëngjesit. Dhe çfarë mund të mendohet se u takojnë profesionistëve të të gjitha profesioneve, elektriçist, llamarinist, hekurthyes, hidraulikë, arredues shtëpijash, tornitor, axhustator, mekanik, frezator, i ka bërë në jetë ky Bajram Burgija, tashmë në 85 vjetorin e lindjes.
Edhe pas 90-tës, duart e tij ishin të veshura me florinj. Është floriri i ndritshëm jo vetëm i shpirtit dhe zemrës së tij sa katër dritare, por i përshtatshmërisë dhe aftësisë për t’iu përgjigjur një tjetër mënyre të marrdhënieve në prodhim. Bëri, e çnuk bëri. Ngriti brigada e grupe pune, ku përfshiheshin gati të gjitha zanatet dhe u shërbente njerëzve sipas kërkesave të tyre.
Dhe më tregon ky Bajram Burgija, se “tinës” i ofrohej zanatçijve të vjetër për t’ia marrë zanatin. Nuk po e përdor këtu fjalën vjedhje, pra të zanatit. Ishte një kolos hekurpunues, që në kohën e Italisë, që bënte krevate dhe orendi metalike, pa përdour saldime, por me shkrirjen e plumbit. Dhe ky mjeshtër i rrallë quhet Llazi Ngresi, i ndarë prej vitesh nga jeta. Po kjo “grabitje” zanatesh ndodhte edhe në profile të tjera, me mjeshtra të tjerë.
Dhe tjetri i kafesë është Besnik Biduli. Me një berretë mbi krye, shenjë e njohur piktorësh, me duart e kryqëzuara prapa, ecën i qetë ky Bidul i lagjes time të vjetër me numur 4. Djali i Islam Bidulit, vëllai i shokut tim të ngushtë Galip Bidulit, fatkeqësisht i ndarë nga jeta vite e vite të shkuara, Besnik Biduli trashëgoi nga i jati zanatin e llamarinistit. Punoi tërë kohën në Uzinën Mekanike Bujqësore dhe bëri emër të madh. Kur djersa të lag rrënjët e jetës, të mirën e ke në derë. Në këtë demokraci tonën, iu desh të përshtatej me punë të ndryshme, ku gjithnjë tregues kryesor mbeti mendimi krijues, duart e ënjtura nga fortësia e kallove, puna e nisur që menatë e lërë që menatë, e të ndjente krenarinë e përkushtimit dhe sakrifikimit.
Dhe ky Bidul, bëri emër jo të vogël edhe në pikturë. Ka parë shumë, ka lëvizur shumë, është lodhur shumë, duke vendosur në telejo mbi gjithçka ngjyrat e shpirtit të tij, duke i dhënë jetë asaj që çfaqte.
U ula në këtë mëngjes me këtë dyshe profesionistësh. E njohin mirë qytetin e tyre. I njohin mirë njerëzit e qytetit të tyrë. Kanë punuar me to, kanë jetuar me to dhe janë përpjekur të ndërtojnë më të mirën që kanë menduar. Ishin dhe mbeten të thjeshtë. Rrufisin kafenë dhe e ndërtojnë mëngjesin mbi kujtime. Nuk e duan politikën dhe nuk merren me të. Duan zhvillimin. Duan mirqënien. Por me rregulla, me bukurinë e njerëzve bujarë dhe fisnikë të Durrësit.
Isha me fat që pranuan të bënin një foto. Kjo më gëzoi, por edhe më detyroi t’i përkushtohesha kësisoj. S’ma kërkuan dhe as nuk dinë gjë për këtë.
Çfarë kafeje? Çfarë mëngjesi? Ju faleminderit miqtë e mi, miq të rrallë dhe të çmuar!
Ju faleminderit që më begenisët, në këtë kafenë tonë të mëngjesit!
Durrës: 1 tetor 2022
Në pamje, nga e majta: Bajram Burgija, Besnik Biduli dhe Bujar Qesja