Nga BUJAR QESJA

Do të vazhdoj, siç edhe kam premtuar mbase edhe i vetëm, jehonën e merituar të një evenimenti të rëndësishëm kulturor të Durrësit. Ky është 70-të vjetori i themelimit të Teatrit “A. Moisiu”. Prezantoj material të veçantë, që nuk ka të bëjë me aktorë dhe regjisorë, por me ato njerëz që nuk shihen, por njihen nëse ke vullnet. Në teatër luhet në skenë, por edhe jashtë saj. Të gjithë sektorët ndihmës, punojnë për një qëllim: për prezantimin sa më cilësor të çfaqjeve. Dhe detyrat janë të ndara. Dritat, fonia, muzika, sipari, në tërësi sektori ndihmues.

Bajram Burgija! Nga mjeshtërit më të mëdhenj të mekanikës durrsake. Titullin “Mjeshtër i Madh” nuk e ka marrë në presidencë. Burgisë ja ka dhënë mrekullia e një pune, që nuk ka gjasa të zbehet, por e rrit shkëlqimin me kalimin e viteve. Në shkrimet e ardhshme, do të merrem edhe me tregues që nuk janë lakuar, por mbeten histori. Do ta mbaj edhe për disa ditë pronë të paekspozuar timen, për t’jua çfaqur pas kësaj. Por çfarë ka bërë ky Bajram Burgija? Ku qendron mjeshtëria e tij?

Është i datëlindjes 13 dhjetor 1937, 85 vjeçar. Janë vite ku po ndërtohej Teatrit “A. Moisiu” i Durrësit. Përurimi është bërë me 4 shkurt 1965 dhe bëri bujo të jashtëzakonshme, duke tërhequr vëmëndjen edhe të titullarit numër një të sistemit. Bajram Burgija ishte dora e artë e Ndërmarrjes së Ndërtimit, e cila kishte marrë udhëzime për të mbështetur me materiale dhe teknikë ndërtimin e teatrit. Ndër to shkëlqente ustai Bajram Burgija.

Ndërtesa e teatrit mbetet mrekulli, sidomos për kohën. Por skena është dorëzuar si ndërtim dhe jo koncept teknik. Hapja dhe mbyllja e perdes, që në gjuhën e teatrit quhet sipari, litarët e manovrimit të rekuizitës, rrotullimi i skenës nuk ishte në planin e skicës së projektit. Çfar do të bëhej? Si do të zgjidheshin këto probleme teknike, që nuk ishin ndeshur më parë? Duhej mendim krijues dhe mënçuri zbatuese.

Arrita të gjej njeriun që do t’i jepte udhë shkrimit. Do të prezantoja me këtë rast nga faktet më tërheqëse, për të ditur se si është realizuar xhirevola e skenës. Bajram Burgija, prezencë e lagjes historike “Sefer Efeniu”, mbetet ende i fortë me shëndet. Thinjat ja kanë pushtuar kryet, por i kanë rritur karatët e mënçurisë. Herë pas here takohem me të. Kafetë e mëngjesit mezi i pres, kur jam në shoqërinë e këtij mjeshtëri, mos ma merrni për hiperbolizim, por që është i jashtazakonshëm. Mbetem i sigurtë, se nuk kemi për të pas tjetër si ai.

Këto ditë biseda për tearitn mbetet parësore. Për durrsakët të dalluar për artin dhe kulturën, teatri mbetet i shenjtë, falë traditës dhe trashigimisë. Bajrami i urtë, mësim se si është modestia, më kishte ndjekur me vëmëndje që kërkoja të dija për xhirovelan, apo rrotullimin e skenës. Dhe një mëngjes fare thjeshtë më tha:

-Ti vërtet kërkon të dish për problemet teknike të skenës. Të kam dëgjuar dhe tani po shprehem. Jam pjesë aktive e mendimit, për një zgjidhje shumë origjinale. Merita të mëdha, i takojnë teknikut të rrallë ardhur nga Tirana Gjergj Vasa. Besoj se nuk jeton. Ishte marrë me skenat dhe me siguri këtu bëhet fjalë për ndërtimin e teatrit popullor, godinë e trashëguar nga italianët. Mori porosi ky Vasa, të ndodhej pranë nesh.

Përvoja dhe aftësia e përshtatjes, nxiti Bajram Burginë, pa mohuar mënçurinë dhe përvojën e Gjergj Vasas, që të kërkojnë shtratin e vjetër të një topi. Diku në afërsi të Kodër Vilës, ishte vendosur nga lufta e dytë botërore, një top gjerman. Luanin fëmijët tërë kohën. Duhej zbërthyer shtrati i topit, pasi kryente rrotullimin. Konstruksion i rëndë metalik. U zmontua dhe u pre sipas logjikës mekanike dhe u tansportua në teatër.

Shtratit të topit, iu vendosën edhe pjesë të tjera, që bënë të munduar rrotullimin e plotë të skenës, për të ndryshuar dekoret e çfaqjeve. Fillimisht është bërë në mënyrë mekanike dhe me kalimin e viteve përdoret me korent. Vendosja e elektromotorit tre fazor, mundëson lëvizjen e skenës në të dy krahët. Zgjidhje disi arkaike, pasi ende lëvizjet bëhen mbi një shinë hekuri rrethore. Mirmbahet, vajiset, ruhen balancimet dhe kryesore është funksionale. Me mjeshtri janë zgjidhur edhe problematikat e veprimeve në skenë me anë të karukullave.

U detyrova të kaloj në logjikën mekanike, për të trajtuar një nga dukuritë më të veçanta dhe më origjinale të skenës rrotulluese të Teatrit” A. Moisiu”. Drejtori Llazar Ziu bëri çmos, që Bajram Burgija të qendronte në teatër, pasi aftësitë e tij të rralla vlenin shumë. Pesë vite qendroi Burgija, pranë kolektivit simpatik të teatrit të Durrësit, duke patur kujtime plot vlerë nga ajo kastë aktorësh, që mbeten historia e krijimit të teatrit.

Lëvizja e trupave artistike profesioniste, bëhej me mundim. Mjetet ishin të pakta dhe detyrohej që të ndërhyhej gjithnjë në Parkun Automobilistik. Duke parë këtë gjëndje, Bajram Burgija propozon të bëj nga e para autobuzin, që do të mbetej pronë e teatrit. Por mendimi i tij u shoqërua me mosbesim. Mjeshtri nga viti 1970, rikthehet përsëri në Ndërmarrjen e Ndërtimit, duke u mirpritur nga kolektivi. Për transportin e punëtorëve Bajram Burgija kishte rastin më të mirë, që të vinte në jetë propozimin që kishte bërë në teatër ngritjen e autobuzit 50 vëndesh. E realizon. U shoqërua me jehonë të pazakontë. Vërejti me kujdes mikrobuzin komod të interklubnit prej 30 vëndesh. Dhe e prodhoi për nevojat e Klubit sportiv “Lokomotiva”. Me këtë rast kujtojmë edhe shoferin e këtij autobuzi Haxhi Xhakoni, i ndarë nga jeta.

Atëhere autoritet e teatrit iu lutën Bajram Burgisë, për të prodhuar autobuzin e tyre. Bajrami kujton:

Gjeta shasi të hedhur, të ndryshkuar tek rikuperot. Duke qenë se zotëroj shumicën e treguesve të zanatit që ka një mekanik, realizova funksionin e plotë të shasisë. Me mbështetjen e motorristit mjeshtër Bajram Sinani, sajuam motorrin specifik për kapacitetin prej 50 vëndesh të aubuzit. Më pas vazhdova i vetëm me ndonjë ndihmës, të bëja punën e kovaçit, të tapicerit, të shtrojeve dhe gonicioneve të dritareve, vendosjen e xhamave e gjithçka duhej. Autobuzi i ri u vendos para teatri dhe vështrohej me kënaqësi nga qytetaret durrsakë.

Kujtojmë me këtë rast edhe shoferin që e përdori këtë autobuz Islam Bici dhe më pas Emin Çollaku, që të dy të larguar nga jeta. Homazh për këto dy njerëz, që u shkrinë plotësisht me trupat artsitike.

Kjo është historia e shtratit të topit, që bëri funksional rrotullimin e skenës së teatrit dhe të autobuzit të artistëve. Dhe që të dyja shprehje e punës mjeshtërore, të asit të teknikës durrsake Bajram Burgija.