Mesfushori Nedim Bajrami u shpreh para mediave se skuadra jonë e ka përgatitur mirë ndeshjen dhe të gjithë e dinë se çfarë i pret nesër në stadiumin “Epet Arena”.
Ndër të tjera, mesfushori kuqezi vlerësoi skuadrën çeke, por nënvizoi se Kombëtarja jonë do të japë maksimumin.
Një vit pas golit në Pragë, si e sheh skuadrën tonë dhe kundërshtarin? – Besoj se goli që kam shënuar është e kaluar, ka kohë. Neser do të jetë një ndeshje ndryshe sepse është një skuadër fizike. E kemi përgatitur mirë ndeshjen dhe të gjithë djemtë janë gati. Nesër e dimë se çfarë duhet të bëjmë në fushë, do të japim maksimumin për të fituar. Rëndësi ka që të mos humbasin pasi e dimë që është një skuadër fizike dhe e fortë në shtëpi.
Mungesat në skuadër, sa gati është ekipi psikologjikisht dhe fizikisht? – Na mungojnë disa lojtarë, por besoj që e gjithë skuadra është gati. Kemi edhe çuna të rinj në skuadër, Tuci, i cili është stërvitur sot me ne dhe e kemi pritur shumë mirë. Nuk ka shumë rëndësi, na mungon Gjimshiti, Broja. Po të gjithë jemi gati dhe do të japim maksimumin nesër për ndeshjen. Do të jetë një sfidë e vështirë, sepse janë të fortë në shtëpi. Por do të jemi gati që në minutat e para.
Kush do të ndikojë më shumë nesër faktori psikologjik, apo përgatitja fizike taktike? – Besoj që çdo ndeshje ka peshën e vet. Ne nesër do të futemi në fushë për të dhënë maksimumin, Edhe në të kaluarën kemi luajtur kundër Çekisë, e njohim kundërshtarin, por nesër do të jetë një sfidë ndryshe dhe besoj që të gjithë djemë janë gati nesër. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për të gjithë.
Sa shqetësuese është për ju që do të luajmë nesër në transfertë për të fituar grupin? – Besoj se për të fituar grupin, është ende herët sepse ne i marrim ndeshjet me radhën. E shohim nesër, ne do të futemi të japim maksimumin tonë. E dimë që do të jetë e rëndësishme, sepse ata nuk na kanë harruar dhe jemi përgatitur shumë mirë për nesër.
Si e shikon ndeshjen nesër? – Jemi një skuadër e fortë dhe individualisht jemi të mirë. Më e rëndësishmja nesër është të futemi mirë në fushë. Çekia në shtëpi është skuadër e fortë dhe minutat e para do të jenë të vështira. Ne jemi gati dhe të shohim se çfarë do të ndodhi nesër.
A pret që kjo ndeshje të jetë e ngjashme si më parë? – Besoj se nesër do jetë më ndryshe, sepse ata luajnë në shtëpi. Ne e dimë se çfarë na pret nesër, të gjithë jemi gati. E kemi përgatitur shumë mirë ndeshjen dhe siç e thashë më parë, çekët janë një skuadër fizikisht e fortë, që bëjnë shumë presion në lojë.
Tuci dhe Laçi luajnë në “shtëpin” e tyre “Epet Arena”? – Nuk kemi folur shumë për këtë temë. E di që luajnë në këtë stadium, te ne ka qenë një atmosferë shumë e mirë për të gjithë skuadrën.