23 qershor 2015 – Vendi i parë i Luiza Gegës në Lojërat Europiane në “Baku 2015″ në garën e 1500 metrave, nuk përkthehet me medalje të artë për Shqipërinë në disiplinën e atletikës, pasi në bazë të rregullores së këtij eventi, medaljet në atletikë janë vetëm ekipore.Luiza Gega dominoi me kohën 4:11.58 minuta, duke mos patur rivalë në garë, megjithatë rezultati i saj nuk e ngjit Shqipërinë në pod, pasi vendi ynë si ekip në atletikë as që i afrohet zonës së medaljeve. Edhe vendi i dytë i Izmir Smajlajt në kërcim së gjati mbetet thjesht një rezultat shumë i mirë personal i atletit shkodran, por që nuk mjafton për t’i dhënë medalje Shqipërisë, e cila në faqen zyrtare të “Baku 2015″ rezulton pa asnjë medalje. Në sportin e Atletikës medalja e artë shkoi për Sllovakinë, e cila la pas Austrinë për pak pikë, ndërsa në vendin e tretë u rendit Izraeli.çuditërisht, edhe në faqen zyrtare të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, nuk sqarohen modalitetet në lidhje me shpërndarjen e medaljave në Atletikë në Lojërat Europiane të Baku-së, përkundrazi rezultati i Luiza Gegës ofrohet si medalje e artë për Shqipërinë. Në këtë rast, 26-vjeçarja është penalizuar nga formati disi i çuditshëm i këtij turneu, ndërsa euforia se Shqipëria ka arritur të marrë medalje të rëndësishme në një event kaq të madh, shndërrohet në zhgënjim, në këtë rast për mungesën e informacionit të saktë nga institucionet drejtuese të sportit në vendin tonë.