Në foto: Alba Çela, zëvendësdrejtore e Qendrës për Studime Strategjike pranë universitetit të Henri Çilit, duke folur në forumin e “think tank”-eve të Detit të Zi: E. Rama “nuk pranon kushtet e propozuara për hyrjen e vendit në Bashkimin Evropian”

BAKU, 19 maj 2013 –Në Shqipëri ekziston një opozitë radikale që nuk pranon hyrjen e vendit në BE, kështu ka deklaruar një ish-aktiviste e G99, përfaqësuese shqiptare në një forum të “think tank”-ve në kryeqytetin e Azerbajxhanit.

Më17 maj 2013 në kryeqytetin azerbajxhanas të Bakusë, filloi punimet forumi dyditor i qendrave kërkimore-shkencore (“think tank”) të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ), raporton agjencia azerbajxhanase e lajmeve “1news.az”.

Tema kryesore e veprimtarisë, së organizuar nga Qendra për Studime Strategjike e Azerbajxhanit nën kujdesin e Presidentit të vendit, ishte “Ura strategjike Lindje-Perëndim: siguri, zhvillim dhe integrim në rajonin e BEDZ-it”.

Në ditën e dytë të forumit, më 18 maj 2013, foli zëvendësdrejtorja e Qendrës për Studime Strategjike e Shqipërisë Alba Çela, që u ndal në vizionin e ri të proceseve integruese të BE-së në Evropën Perëndimore.

Ish-aktivistja e G99 vuri në dukje se në Ballkan ka vende të tilla si Maqedonia, Serbia, Shqipëria, pranimi i të cilëve në Bashkimin Evropian mbetet problematike.

Duke iu referuar situatës në Shqipëri, A. Çela vuri në dukje se në vend ekziston një opozitë radikale që nuk pranon kushtet e propozuara për hyrjen e vendit në Bashkimin Evropian, njofton “1news.az”.

“Kështu që parlamenti ynë nuk ishte në gjendje të miratonte paketën e propozimeve të BE-së. Prandaj sot nuk jemi madje as kandidat për anëtarësim në BE, por gjithçka mund të ndryshojë pas 23 qershorit, kur në Shqipëri do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe do të formohet një parlamenti i ri”,- tha ajo e cituar nga “1news.az” në versionin rusisht.

“Është e domosdoshme gjithashtu të “freskohet” procesi i hyrjes së Turqisë në Bashkimin Evropian”, – shtoi ekspertja shqiptare, duke vënë në dukje se shumë gjëra lidhur me këtë do të varen nga pozicioni i vetë BE-së.

Info

1. Alba Çela

Ish-aktiviste e G99, aktualisht është zëvendësdrejtore e Qendrës për Studime Strategjike dhe të Sigurisë pranë Universitetit Europian të Tiranës, administratori i të cilit është gazetari dhe analisti politik Henri Çili.

Ish-zëvendësdrejtore e Shtëpisë së Evropës për Shqipërinë (House of Europe Albania).

Në kopertinën e librit të Alba Çelës, me 76 faqe “Orientalism in Service of Contemporary National Identity Building in Albania. The Literary Work of Ismail Kadare” (Orientalizmi në shërbim të ndërtimit të identitetit kombëtar bashkëkohor në Shqipëri. Vepra letrare e Ismail Kadaresë), botuar nga VDM Verlag Dr. Müller e.K., shkruhet:

“Alba Çela ka qenë redaktore në të përjavshmen [në gjuhën angleze] Tirana Times dhe studiuese në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare [Tiranë] në vitet 2006-2008. Është diplomuar për politologji dhe ekonomi në Universitetin Amerikan në Bullgari. Ka një MA në studime për nacionalizmin nga Universiteti i Evropës Qendrore (Central European University). Alba punon për G99-ën, një lëvizje social-politike në Shqipëri”.

Në vitin 2011, Instituti i Studimeve Ndërkombëtare ka realizuar studimin “Perspektiva Evropiane e Shqipërisë / Perceptime dhe Realitete 2011”. Analiza dhe shkrimi: Alba Çela dhe Megi Llubani.

2. Qendra për Studime Strategjike dhe të Sigurisë (QSSS)

Kjo qendër synon të organizojë punën studimore e shkencore të Universitetit Europian të Tiranës për fushat e sigurisë dhe strategjisë. Drejtimet më të rëndësishme ku QSSS synon të orientojë e zhvillojë veprimtarinë e saj janë: studimet e sigurisë në nivel kombëtar e ndërkombëtar; studime strategjike në fushën e mbrojtjes dhe integrimit Euroatlantik; transformimi dhe modernizimi i strukturave të sigurisë kombëtare e ndërkombëtare; transformimi i arsimimit në fushën e strategjisë dhe të sigurisë; studime gjeopolitike dhe analiza të sigurisë rajonale; analiza strategjike të konflikteve dhe mësimeve të nxjerra; konsulencë dhe rekomandime në fushat e strategjisë dhe sigurisë; zhvillimi i konceptit të sigurisë njerëzore. (sipas Enri Hides, drejtues i QSSS-së).

3. BEDZ

Shqipëria është shtet-anëtar themelues i Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (4 qershor 1992).

Anëtarët themelues në vitin 1992: Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Greqia, Gjeorgjia, Moldavia, Rumania, Rusia, Shqipëria,Turqia, Ukraina, Serbia [në prill 2004].

Anëtarësia nuk u kufizua në vendet të cilat kanë dalje në Detin e Zi: Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Greqia, Moldavia dhe Serbia nuk kanë vijë bregdetare në Detin e Zi. Aplikimit të Maqedonisë i vuri veton Greqia, pasi Turqia më parë vuri veton ndaj aplikimit të Republikës së Qipros.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/