17 dhjetor 2014 –  Këshilli Bashkiak i Koplikut, me propozim të kryetarit të Bashkisë Ramadan Likja dha me unanimitet të plotë votash titullin "Qytetar Nderi" për dy futbollistët e Kombëtares, Bekim Balaj dhe Elseid Hysaj, të cilët janë me origjinë nga Malësia e Madhe. Për këtë, u organizua një ceremoni festive dhe këtë titull e morën familjarët e tyre. Ata falënderuan kryebashkiakun dhe anëtarët e këshillit për këtë nderim që iu bë fëmijëve të tyre. I ati i sulmuesit Balaj, Avdyl Balaj, u shpreh:

"Duke iu kërkuar të falur që Bekimi nuk mundi të ishte pjesë e kësaj ceremonie, nëpërmjet telefonit ju falënderon maksimalisht për këtë titull të rëndësishëm. Shpresoj që Malësia e Madhe të vazhdojë të nxjerrë sërish talente që të bëhen pjesë e Kombëtares". Ndërkaq, kryebashkiaku Likaj deklaroi: "Ndihemi krenarë për këtë që kanë bërë djemtë tanë për të mbrojtur flamurin dhe për atë që kanë treguar në fushën e lojës".