Tiranë, 4 shtator 2014 – Bekim Balaj nis sulmin dhe pavarësisht se ende nuk dihet kush do të jetë udhëheqësi i repartit ofensiv i formacionit të De Biasit, shkodrani premton se Shqipëria do të befasojë në Portugali. 23- vjeçari në një intervistë telefonikë për Sport News lëshon sfidën ndaj luzitanëve, duke treguar njëkohësisht dhe entuziazmin që ekziston në grupin e kuqezinjve.
“Ndaj kundërshtarëve të fortë i kushtojmë rëndësi mbrojtjes por ne do surprizojmë me agresivitet dhe shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv. E rëndësishme është të bëjmë një ndeshje të mirë, por do të provojmë të sulmojmë dhe të shënojmë”.
Sulmuesi i Slavias së Pragës në kampionatin Cek, evidenton konkurrencën e madhe në ekipin kombëtar Shqiptar, të cilën e vlerëson si pozitive jo vetëm për trajnerin por edhe për vetë futbollsitët. Balaj shprehet i vlerësuar me këtë grumbullim, duke premtuar se është gati të japë maksimumin.
“Konkurrenca e madhe sjell edhe dilema por kjo i vlen ekipit si dhe futbollistëve të cilët japin maksimumin, për mua personalisht është vlerësim që jam këtu dhe nëse luaj do të jap më të mirën”.
Ish sulmuesi i Vllaznisë dhe Tiranës në kampionatin shqiptar vlerëson shumë edhe frymën e grupit si dhe grumbullimin në La Coruna, duke e cilësuar si shumë të vlefshëm për të konsoliduar ekipin.
“Fryma e grupit është shumë e mirë, pasi gjithnjë ka qenë e tillë. Jemi mirë edhe pse kemi shumë lojtarë të rinj dhe disa me eksperiencë. 6 ditë grumbullim shërbejnë për tu njohur më shumë me njëri-tjetrin.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





