E ardhmja e Gareth mbetet çështje e nxehtë te Reali i Madridit, me uellsianin që refuzon të largohet nga “Los Blancos”, edhe pse nuk është më në planet e trajnerit Zinedine Zidane. 30-vjeçari, sikurse e zbulon tekniku francez, refuzoi të luante në sfidën e International Champions Cup kundër Bayernit (3-1 për bavarezët), por është i vendosur të zbresë në fushë ndaj Arsenalit, takim që do të luhet në orët e para të së mërkurës.
Zidane ka qenë në ballë të përpjekjeve të Realit për të detyruar Bale të largohet, teksa së fundmi ka spikatur edhe një ofertë faraonike nga Kina, por lojtari vijon të bëjë rezistencë.
“Së pari, nuk është e vërtetë që nuk e kam respektuar dikë e aq më tepër futbollistët. Gjithmonë kam thënë të njëjtën gjë, lojtarët janë më të rëndësishmit. E dyta, kam thënë se klubi po përpiqet ta shesë atë. Dhe e treta, mendoj se është shumë e rëndësishme të thuhet se Gareth nuk pranoi të luante, sepse nuk donte që të negocionim largimin e tij.”
Por a do të jetë Gareth Bale në fushë kundër Arsenalit?
“Ju mund të pyesni për gjithçka, por unë iu përgjigja pyetjes. Gareth është një lojtar i Real Madridit. Kjo është gjëja më e rëndësishme, ai është një lojtar i skuadrës”.





